06-05-2024

Prizren: Përmes tri miniqendrave artizanale parashihet afirmimi i produkteve artizanale

Komuna e Prizrenit ka hapur konkurs për dizajnimin e shtandeve nga materiali i drurit, për tri miniqendra artizanale për afirmimin e produkteve vendore artizanale dhe ushqimore, derisa kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka ftuar për aplikime sa më të shumta për gjetjen e modelit më të përshtatshëm dhe funksional, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Gjatë muajve të verës, Qendra Historike e Prizrenit vërshohet nga vizitorët, ndërsa sipas zyrtarëve shitësit ambulantë akoma më shumë i ngushtojnë hapësirat e pakta publike.

Kryetari Haskuka, në profilin zyrtar në facebook ka shkruar se duke pasur parasysh këtë gjë, Komuna ka hapur konkurs për dizajnimin e shtandeve nga materiali i drurit, për tri miniqendra artizanale të cilat do të jenë në tri lokacione të ndryshme (Muzeu i hapur arkeologjik, Ura e Arastës dhe Keji 3).

“Përveç kësaj, këto shtande do të shërbejnë për afirmimin e produkteve vendore artizanale dhe ushqimore të cilat do ta shtonin vlerën e qytetit. Ju ftoj të aplikoni sa më shumë për gjetjen e modelit më të përshtatshëm dhe funksional”, ka shkruar ai.

Aplikimet duhet të dorëzohen në sportelin nr. 2 pranë administratën komunale, ndërsa më shumë informata mund të merren në Drejtorinë e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik. Afati i fundit për aplikim është data 7 nëntor 2018.

 

Asnjë koment

Comments are closed.