24-11-2024

Prizren: Premtohet furnizim me ujë në lagjet “Dardania”, “Bazhdarhane” dhe disa fshatra të Anadrinisë

Komuna e Prizrenit ka njoftuar për disa investime në rrjetin e ujësjellësit me qëllim të përmirësimit të furnizimit me ujë, në mënyrë që të ketë ujë 24 orë në tërë komunën.

 

Në njoftimin zyrtar, thuhet se ka 20 vite që disa lagje dhe fshatra të komunës së Prizrenit nuk kanë furnizim të rregullt me ujë. Kjo situatë është e papranueshme, prandaj Komuna është duke bërë investime për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit.

 

“Për shkak të punimeve gjatë këtyre ditëve, detyrimisht është dashur të bëhet ndërprerja e ujit në disa zona dhe për këtë gjë qytetarët kanë qenë të njoftuar paraprakisht nga ‘Hidroregjioni Jugor’. Meqenëse, në pjesën ku po zhvillohen punimet, rrjeti i ujësjellësit është mbi 70 vjet i vjetër dhe intervenimet me pjesët e reja nuk i janë përshtatur sistemit të vjetruar, ndërprerja e ujit ka zgjatur më shumë se që ishte planifikuar”, thuhet në njoftim.

 

Edhe gjatë ditës së sotme janë duke u zhvilluar punimet përfundimtare të këtyre intervenimeve dhe furnizimi me ujë në këto zona do t’i kthehet normalitetit.

 

Në njoftim, thuhet se komuna gjithashtu po bën investime në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në lagjet “Dardania”, “2 Korriku”, “11 Marsi”, në Malësinë e Re dhe në disa fshatra të Anadrinisë. Për më tepër, për shkak të kapacitetit të kufizuar të ‘Hidroregjionit Jugor”, Komuna ka nënshkruar marrëveshje për tri vite edhe me kompaninë KRU “Gjakova” (Ish Radoniqi), për shtrirje të rrjetit të ujësjellësit në zonën e Hasit.

 

“Përveç kësaj, janë duke u zhvilluar punimet e vendosjes së gypave të ujësjellësit edhe në rrugën Prizren-Prevallë, që do të rezultojë me përmirësimin e mëtejmë të furnizimit me ujë. Shuma e gjithë këtyre investimeve kap vlerën e rreth 1 milion eurove. Lusim qytetarët që t’i përcjellin njoftimet nga ana e ‘Hidroregjionit’, për ndërprerjet e mundshme të furnizimit me ujë në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

 

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ndërkaq ka premtuar se deri në fund të mandatit, secila lagje dhe fshat do të ketë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm./gazetaeprizrenit,net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.