25-04-2024

Prizren: Suspendohet kirurgu Ymeri që ofendoi pacienten

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar për suspendimin e mjekut nga Prizreni i cili është filmuar duke fyer pacienten e tij.

Pas reagimit të parë ku ministri Ismaili kërkoi që sjellje të tilla të mos tolerohen kanë reaguar  SHSKUK-ja dhe vet Spitali i Prizrenit, duke marrë masa të menjëherëshme që mjeku të suspendohet përkohësisht nga puna për veprimet e tij.

Kirurgu Rrahim Ymeri është dëgjuar në një incizim, duke përdorur gjuhë të rëndë ndaj një paciente, e cila kishte shkuar në spital sepse kishte dhimbje nga ‘zorra qorre’.

“Sapo u njoftova që kirurgu në Prizren është suspenduar nga menaxhmenti i Spitalit të Prizrenit. Ky reagim duhet të jetë mësim për të gjithë ata që abuzojnë me pozitat dhe besimin e dhënë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se do të vazhdohet të investohet në sistemin shëndetësor dhe te të gjithë punëtorët shëndetsorë me integritet dhe etikë të lartë, por nuk do të ketë tolerancë për abuzim.

Asnjë koment

Comments are closed.