18-04-2024

SHSKUK kërkon sanksionimin e mjekut që e fyeu pacienten në Prizren

Pas publikimit të shkrimit në Indeksonline, ku një paciente fyhet nga ana e mjekut në Spitalin e Prizrenit, Shërbimi Spitalor i Klinikes Universitare të Kosovës (SHSKUK), ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme ligjore.

Është kërkuar nga drejtoria e Spitalit të Prizrenit të sanksionoj mjekun në fjalë.

“SHSKUK është përkushtuar ta ketë pacientin në qendër dhe nuk do të lejoj që askush të keqpërdorë detyrën zyrtare”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

SHSKUK do të njoftoj opinionin në lidhje me hapat e tjera që do të ndërmerren në ditët në vijim lidhur me këtë rast.

Si pasojë e dhimbjeve të mëdha të barkut, pacientes me inicialet V.Q iu desh që të kërkonte ndihmë mjekësore në Spitalin e Prizrenit.

Këto dhimbje u konstatua se kanë ardhur nga sëmundja e ‘Apendesit’ apo njohur ndryshe si ‘Zorra Qorre’.

 

Për t’u futur në operacion, pacientes iu desh të duronte dhimbjet për disa orë, pasi kirurgu i cili gjendej në atë kohë në Klinikën Kirurgjike nuk pranonte ta operonte, e gjithë kjo sipas pacientes dhe familjarëve të saj, në kërkim të parave.

 

Familjarët e pacientes thonë për Indeksonline se u detyruan që t’i jepnin doktorit në fjalë 200 euro, si mundësi për t’u futur në operim.

Përderisa pacientja po rënkonte nga dhimbjet e mëdha, sipas familjarëve britma e pacientes ishte pengesë për doktor Ymerin.

Ai ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se janë pallavra.

“Çfarë video bre s’ka unë jam i moshuar po çfarë video. Pallavra janë ato , pallavra”, ishin fjalët e doktorit i cili fliste me zë të lartë dhe në fund e mbylli telefonin.

Indeksonline ka siguruar edhe dokumentacionin që tregon datën e shtrirjes së pacientes, daljen e saj, dhe gjendjen në të cilën ajo ishte dërguar në Klinikën Kirurgjike të Spitalit të Prizrenit./Indeksonline/

Asnjë koment

Comments are closed.