05-10-2024

Prizreni humb shtëpinë e shekullit XIX me leje të institucioneve

Shtëpisë së shekullit XIX në rrugën “Bajrakli”, në Qendrën Historike të Prizrenit, tashmë nuk i ka mbetur asnjë gjurmë. Për dallim prej shumicës së rasteve, kjo ndërtesë është rrënuar me leje të institucioneve.

Lidhur me këtë çështje të mërkurën ka pasur reagime nga anëtarët e Kuvendit të Komunës, nga aktivistët e shoqërisë civile, por edhe nga vetë Ekzekutivi lokal. Këta të fundit kanë theksuar se për shkak të mospërfshirjes në listën e objekteve me trashëgimi kulturore, nuk ka pasur mundësi ligjore që të ndalohet rrënimi. Njëherësh lidershipi komunal ka theksuar se çështja e shtëpive tradicionale duhet të trajtohet me masa ndërinstitucionale. Ndërkaq zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren kanë deklaruar se ndërtesa e shekullit XIX i ka humbur vlerat dhe se ka qenë në gjendje të degraduar.

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” përmes një reagimi ka theksuar se sipas informatave fillestare ndërtesa në fjalë “është rrënuar me leje institucionale”.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka konfirmuar se “të dielën Prizreni humbi edhe një shtëpi të bukur në qendrën historike”, shkruan K,Ditore.

“Në rrugën ‘Bajrakli’ është rrënuar objekti me vlera të shtëpive tradicionale, por fatkeqësisht për shkak të mospërfshirjes në listën e objekteve me trashëgimi kulturore nuk ka pasur mundësi ligjore që të stopohet rrënimi”, ka thënë Haskuka. Personalisht do të angazhohem që objekti i rrënuar të rindërtohet ashtu siç ka qenë, me dukje të njëjtë”, ka deklaruar Haskuka.

Asnjë koment

Comments are closed.