S`ka buxhet për sigurinë e objekteve shkollore në Prizren

Komuna e Prizrenit në buxhetin e saj për vitin 2019 nuk ka planifikuar mjete për sigurimin fizik të shkollave me numër të madh të nxënësve, që kryesisht ndodhen në qytet.

Në vend të pagesës së sigurimit, organet komunale janë orientuar në ofrimin e shujtës për nxënësit e ciklit të ulët, shkruan sot Koha Ditore.

Për realizimin e projektit të ofrimit të shujtave janë alokuar afro 400 mijë euro dhe zbatimi i tij parashihet të nisë nga fillimi i vitit të ardhshëm, përkatësisht nga gjysmë-vjetori i dytë shkollor.

Nga ana tjetër këshilltarë të caktuar nga opozita kanë vlerësuar se sigurimi fizik është prioritet për shkollat e mëdha, për të parandaluar incidentet e ndryshme. Edhe drejtori i Arsimit, Skënder Susuri, ka theksuar se siguria në shkolla është njëra prej prioriteteve të planit të punës së tij.