Prodhonte materie plasëse në Malishevë, dënohet me kusht dhe me gjobë i akuzuari
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me shtatë muaj burgim me kusht dhe 600 euro gjobë, të akuzuarin për prodhim të materies plasëse, Valbon Çollaku.
Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten, nga gjykatësi Njazi Morina, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën dy vjeçare i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse dënimin me gjobë në shumë prej 600 euro, i akuzuari obligohet që ta paguajë brenda tre muajve, në tri këste, nga 200 euro.
Po ashtu, i akuzuari është obliguar që të paguajë edhe 20 euro për shpenzimet e procedurës si dhe 20 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Paraprakisht, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 22 korrik, i akuzuari Çollaku e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 17 tetor 2017, Valbon Çollaku po akuzohet se ka kryer veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi, ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 372, paragraf 1 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Çollaku, më 15 prill 2015, në fshatin Bubavec, Komuna e Malishevës, në vendin e quajtur “Della”, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët apo materiet plasëse, duke kombinuar plehun artificial me derivate të naftës, të cilat i përzien në temperatura të larta, prodhon materie plasëse.
Sipas aktakuzës, i akuzuari këto materie plasëse i përdor për thyerjen e gurëve, ndërsa për aktivizimin e tyre përdor kapsula ndezëse të mbushura me pluhur ndezës (barut), dhe me këtë hap nëntë vrima në gurë me dimensione prej 0.80 m thellësi dhe gjerësi 3.6 mm, me qëllim që të bëjë eksplodimin (thyerjen) e gurëve. /Betimipërdrejtësi