Prokuroria e Gjakovës fillon hetimet për listat e veteranëve

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimin e listave të veteranëve të luftës, të cilat dyshohen për manipulime.

Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Ali Selimaj ka caktuar dy prokurorë që do të merren me këtë rast. Sipas njoftimit, Selimaj ka kërkuar nga prokurorët e caktuar intensifikimin e veprimeve hetimore për rastin e mashtrimeve me listat e veteranëve të luftës.

“Po ashtu, Prokuroria e Gjakovës në koordinim të plotë me njësinë e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Gjakovë, ka filluar hetimet paraprake për identifikimin dhe verifikimin e 191 personave të dyshuar si veteranë dhe akterët e tjerë të përfshirë në procesin e rekrutimit, të cilët dyshohen se kanë kryer veprat penale ‘falsifikim i dokumentit’, ‘mashtrim dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë’”, thuhet në njoftim./k.net