Prokuroria kërkon dënimin e doganierëve të akuzuar për korrupsion, mbrojtja lirimin e tyre
Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Shkëlzen Ibrahimi ka kërkuar dënimin e të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Artan Ferati dhe të akuzuarit për falsifikim të dokumentit zyrtar, Besnik Beshi, kurse mbrojtja e dy të akuzuarve, kërkoi lirimin e tyre.
Prokurori Ibrahimi, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, ku theksoi se gjatë shqyrtimit kryesor, në seancat gjyqësore, janë prezantuar dëshmi dhe prova të mjaftueshme për marrjen e një vendimi të drejtë, pasi që u vërtetua se të akuzuarit Ferati dhe Beshi kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Andaj, i njëjti ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, sa i përket matjes së dënimeve për të akuzuarit Ferati dhe Beshi, prokurori ka propozuar që si rrethana lehtësuese të merret fakti se më parë nuk kanë qenë të dënuar, si dhe janë të martuar dhe kanë fëmijë, kurse si rrethanë rënduese për këta të dy të merret keqpërdorimi i detyrës zyrtare.
Ndërkaq, fjalën përfundimtare të prokurorit Ibrahimi e mbështeti përfaqësuesi i Doganës të Kosovës, Bekim Behrani, i cili shtoi se nuk paraqesin kërkesë pasurore – juridike.
Në anën tjetër, fjalën përfundimtare me shkrim e ka dorëzuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Beshi, avokati Agron Karatashi, i cili deklaroi se nga fillimi e deri në fund të kësaj çështje penale janë administruar një mori provash dhe se të gjitha kanë vërtetuar faktin se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Tutje, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, avokati Karatashi tha se është vërtetuar se të akuzuarit Beshi dhe Ferati në ditën kritike kanë qenë në presion të kohës.
“Kanë marrë instruksione nga mbikëqyrësi i kësaj procedure që lidhur me këtë rast duhet të veprohet me nguti, prandaj si e tillë ka ekzistuar mundësia që nga ana e akuzuarve të ketë ndonjë lëshim pa fajin e tyre”, shtoi ai.
Në fund, avokati Karatashi tha në bazë të të gjitha provave dhe theksimeve që i ka bërë, kërkojnë nga gjykata që duke u bazuar në nenin 364, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3., ndaj të mbrojturit të tij të merret aktgjykim lirues.
Po ashtu, i akuzuari Beshi deklaroi se e përkrahë plotësisht fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ferati, avokati Florent Latifaj në fjalën përfundimtare tha se nuk është vërtetuar me asnjë provë që i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
“Nuk janë përmbushur asnjë nga elementet të cilat paraqesin figurën e kësaj vepre penale, e në rastin konkret do të duhej që duke keqpërdorur detyrën zyrtare të ketë përfitim për vete, apo për persona tjerë”, shtoi tutje avokati Latifaj.
I njëjti deklaroi se ende nuk dihet vlera e mallit të falsifikuar, si dhe nuk dihet se sa nga ai mall është shkatërruar dhe sa kanë mbetur.
Në fund të fjalës përfundimtare, edhe avokati Latifaj propozoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.
Ndryshe, paraprakisht ka vazhduar marrja në pyetje e të akuzuarit Beshi, për shkak se i njëjti nuk ka arritur të përfundojë atë në seancën e kaluar.
Bashkë me të pandehurit Beshi dhe Ferati janë akuzuar edhe avokati Xhevdet Rama dhe punëtori i kompanisë “Bashkimi”, Avdullah Latifi, për të cilët, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2019, e kishte aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të lidhur mes tyre dhe prokurorisë.
Më 22 mars 2019, Rama ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, i cili dënim ishte zëvendësuar me gjobë në shumë prej 2 mijë e 500 euro.
Kurse, i akuzuari Latifi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Edhe dënimi me burgim ndaj tij është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë e 600 euro.
Përveç tyre, të akuzuar kishin qenë edhe Flamur Hoti e Selatin Krasniqi. Hoti akuzohej për falsifikim të dokumentit zyrtar, ndërsa Krasniqi për mashtrim të konsumatorëve. Ndaj të njëjtëve, ishte hudhur poshtë aktakuza dhe kishte pushuar ndjekja penale.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 korrik 2016, Xhevdet Rama me dashje kishte ndihmuar doganierin Artan Ferati për të kryer vepër penale me vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e veprës penale.
Siç thuhet në aktakuzë, më 1 prill 2016, rreth orës 13:30, duke përcjellë me veturën e tij furgonin që e kishte drejtuar, i akuzuari Selatin Krasniqi, me vetëdije të plotë e kishte transportuar oficerin doganor Artan Ferati prej ZBD në Prizren, deri në Prishtinë.
Më pas, thuhet se me të arritur në SHPK “Eri Group” për asgjësim të 2 mijë e 880 copë të parfumeve “Paco Rabane 1 Milion”, si produkte të ndaluara, të importuara nga Kina prej importuesit N.T.T.SH “Te Bashkimi”, me pronar Bashkim Latifin, me dëshirë që i akuzuari Ferati të mos përkujdesej për mbarëvajtjen e procesit të shkarkimit dhe shkatërrimit të plotë të mallit të falsifikuar, sipas urdhrit të të akuzuarit Rama, punëtorët fizik i kishin nxjerrë vetëm dy paketa dhe i kishin dërguar te presa, ku ato ishin asgjësuar.
Tutje, thuhet se paketat tjera nuk ishin shkarkuar nga furgoni dhe me to ishte larguar furgoni i drejtuar nga Avdullah Latifi.
Pastaj, sipas aktakuzës, këtë furgon e kishin ndaluar hetuesit e kundër kontrabandës së Doganës së Kosovës dhe gjatë kontrollit kishin gjetur dhe konfiskuar parfumet e destinuara për shkarkim, kurse i akuzuari Ferati ishte larguar nga vendi i ngjarjes bashkë më të akuzuarin Krasniqi, e më pas ishte larguar edhe i akuzuari Rama.
Ndërkaq, i akuzuari Latifi po dyshohet se së bashku me të akuzuarin Artan Ferati, si persona zyrtarë kishin shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe nuk i kishin përmbushur detyrat me qëllim që tjetri të fitojë dobi pasurore.
Këtë thuhet se e kanë bërë më 1 prill 2016, gjatë procesit të asgjësimit të produkteve të parfumit, i akuzuari Ferati si doganier dhe i akuzuari Latifi punëtor në NP ”Te Bashkimi” në Prishtinë, pas shkatërrimit të dy paketave, nuk ishin interesuar edhe për shkarkimin e produkteve të tjera të mbetura në furgon dhe asgjësimin e tyre përmes presës speciale.
E pas konfiskimit të të njëjtave nga Njësiti Anti-Kontrabandë i Doganës së Kosovës, Latifi i kishte prezantuar hetuesve dy fatura dhe kuponë fiskal me shënimin kinse po transportohet ujë tualeti.
Të akuzuarin Latifi, prokuroria e ngarkonte me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ramën e akuzonte për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.