Prokuroria Themelore e Prizrenit ka bërë të ditur se ka ngritur 18 aktakuza ndaj personave që dyshohen për uzurpimin e pronës së Hekurudhave të Kosovës në këtë qytet.
Ky organ i akuzës është duke punuar edhe në 31 raste të tjera të kësaj natyre, shkruan sot Koha Ditore.
Drejtuesit e Prokurorisë në Prizren kanë pohuar se krahas rasteve të uzurpimeve po hetohen edhe zyrtarët e institucioneve publike që kanë lejuar ndërtime pa leje apo që kanë dhënë leje ndërtimi në këtë zonë në kundërshtim me legjislacionin.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, ka pohuar se 18 aktakuzat janë ngritur pas kallëzimeve penale që janë parashtruar nga Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – “Infrakos”.
Sipas tij, në këtë aspekt po hetohen edhe zyrtarët e institucioneve publike në raport me ndërtimet pa dhe me leje në vijën hekurudhore brenda qytetit të Prizrenit.