29-05-2026

Opinion: Pse nuk po funksionon klubi i futbollit “Liria”?

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Nga Lirim Krasniqi

Kam qenë fëmijë i KF Lirisë për gati dhjetë vite. Jam rritur në shkallët dhe në fushën e Stadiumit “Përparim Thaçi”, aty ku për shumë prej nesh futbolli nuk ishte vetëm sport, por kulturë dhe hapësirë socializimi. Në atë klub kam pasur fatin të luaj si fëmijë me Vedat Muriqin – sot simbol i Kosovës në futbollin europian. E përmend këtë jo për nostalgji, por për një arsye të thjeshtë: Liria ka qenë dhe mbetet më shumë se klub, një vend ku Prizreni ka prodhuar talent, përkatësi dhe kulturë futbolli.

Prej vitesh, sportdashësit janë me të drejtë të shqetësuar nga mënyra si është menaxhuar një prej klubeve më të vjetra të futbollit në Kosovë. Liria ka mbetur e ngujuar në Ligën e Parë (praktikisht liga e dytë), me rezultate që lënë për të dëshiruar. Edhe më keq, shkolla e futbollit, një nga asetet më të mëdha historike të Lirisë, nuk po arrin ta mbajë dhe ta shndërrojë talentin në kapital të qëndrueshëm.

Kërkesa për ndryshim nuk është kërkesë për fajtorë. Është një thirrje për standard dhe për qartësi. Është kërkesë për standard dhe qartësi. Sepse kriza e gjatë e një klubi si Liria nuk është vetëm sportive. Ajo është menaxheriale, ekonomike dhe problem i politikës publike. Liria është institucion i Prizrenit, aset publik dhe simbol i qytetit, një klub me histori e kulturë tifozërie që e tejkalon fushën. Prandaj edhe zgjidhja për të duhet të jetë institucionale.

Sporti dhe futbolli si kulturë publike

Përtej rezultateve, futbolli është kulturë emancipimi dhe shëndeti publik. Dhe në ditë e sotme futbolli është “industri” që gjeneron imazh, zhvillim dhe dukim. Një klub funksional me akademi të organizuar u jep fëmijëve “vese” të shëndetshme, disiplinë, bashkëpunim dhe përkatësi, gjëra që sot janë po aq, në mos më të rëndësishme sa fitoret.

Në një kohë kur sedentarizmi te të rinjtë ishte në rritje dhe hapësirat e shëndetshme të komunitetit ishin të pakta, Liria ishte, siç mund të jetë, një instrument i fuqishëm i edukimit të rinisë. Një fëmijë në Lirinë e pasluftës, nëse nuk bëhej futbollist i suksesshëm, të paktën nuk bëhej “rrugaq”, kështu thoshte një nga veteranët e Lirisë e trajner i imi, i ndjeri Bashkim Beshi. Sepse një klub i mirëfilltë futbolli ekziston jo vetëm për të prodhuar futbollistë, por për të prodhuar qytetarë më aktivë për qytetin.

Ky s’është vetëm opinion. Sot, sipas OBSH-së, rreth 80% e adoleshentëve globalisht nuk arrijnë nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik, dhe sporti rekomandohet si investim me potencial të lartë në shëndetin publik.

Privatizimi i klubit: kur procesi trajtohet me shumë “sportivitet”, rezultati del sportivisht i dobët

Në vitin 2022 u privatizua menaxhimi i klubit Liria. Ky ishte një hap që mund të ishte i guximshëm dhe i mirëseardhur, nëse do të bëhej me procesin e duhur. Por privatizimi i menaxhimit të një klubi, më shumë se çështje sportive, është çështje menaxheriale dhe ekonomike: është marrëveshje me interes publik, me rrezik financiar, me reputacion qyteti dhe me përgjegjësi ndaj komunitetit.

Vetë klubi dhe mediat raportuan atëkohë për përgatitjen e dokumentacionit dhe thirrjes publike për menaxhim privat, çka e bën procesin pjesë të debatit publik, jo marrëveshje të mbyllur në dhoma të vogla.

Ajo që ndodhi, së paku nga mënyra si u perceptua publikisht, ishte një proces i ngushtë, me vendimmarrës të pamjaftueshëm në tavolinë. Në një proces të tillë, nuk mjafton vetëm zëri i trajnerëve apo 2–3 figurave pjesë e klubit në atë moment, sado të respektuar të jenë.

Procesi i privatizimit që në start nisi gabim, sepse nuk u përfshinë të gjithë ata që duhet të ishin në tavolinë: komuna (disa dikasterë të saj, jo vetëm një person), ekspertë të menaxhimit dhe politikave publike, ekonomistë, juristë, sponsorë, përfaqësues të tifogrupit “Arpagjik’t” dhe komunitetit, ish-lojtarë dhe punëtorë sportivë që e njohin klubin si ekosistem.

Para thirrjes publike do duhej të zhvillohej një seri takimesh ku të përcaktoheshin objektivat: çfarë po privatizohet saktësisht, me çfarë kushtesh, me çfarë garancish, me çfarë afatesh dhe me çfarë mekanizmash kontrolli.

Në Evropë ka modele të njohura që e formalizojnë rolin e anëtarësisë/fansave në qeverisje (si rregulli gjerman “50+1”), jo për romantizëm, por për të mbrojtur një klub sportiv nga devijimi dhe për ta bërë privatizuesin më të përgjegjshëm.

Kur këto hapa mungojnë, rezultati është i parashikueshëm, siç edhe ndodhi me Lirinë: investitori/menaxheri largohet shpejt, me akuza për pengesa, ndërsa komuniteti mbetet me zhgënjim dhe klubi me ndërhyrje “ad-hoc” dhe humbje të madhe kohe. Dhe koha në futboll është kapital: çdo sezon i humbur është një gjeneratë lojtarësh që shpërndahet diku tjetër.

Edhe kur ka vullnet të mirë, vullneti s’e zëvendëson strukturën

Pas largimit të privatizuesit fillestar, disa biznesmenë lokalë e morën përsipër menaxhimin. Kjo është e respektueshme. Por edhe këtu po shihet një problem tipik: vullneti i mirë nuk mjafton pa arkitekturë menaxhimi dhe pa drejtim sportiv profesional.

Ndryshime të shpeshta të trajnerëve, menaxhim i dobët, mungesë e rezultateve në akademi, infrastrukturë e dobët përcjellëse, stadium që s’po rikonstruktohet që mbi 1 dekadë. Të gjitha këto janë simptoma të të njëjtit problem: mungesë sistemi dhe strukture menaxheriale të mirëfilltë.

Në futboll, trajneri është i rëndësishëm, por trajneri pa strukturë bëhet konsumator i krizës. Klubi duhet ta ketë një drejtori sportive me mandat dhe përgjegjësi: drejtor sportiv (që planifikon), trajner të ekipit të parë (që zbaton), përgjegjës të akademisë (që prodhon).

Pa këtë treshe dhe pa një metodologji të përbashkët, çdo sezon fillon nga zero.

Akademia: pasuria që po humbet pa e kuptuar

Shkolla e futbollit e Lirisë është një aset strategjik. Por akademia nuk duhet parë si “vlerë e shtuar” — ajo është bërthama nga ku nis çdo gjë. Nëse talenti i Prizrenit kalon nëpër Liri por përfundon në ekipin e parë të një klubi tjetër, atëherë diçka nuk është në rregull.

Lojtarët ikin kur nuk shohin shpresë; shpresa nuk krijohet me fjalë, por me plan dhe me mundësi reale. Edhe në rregulloret e FIFA-s, klubet trajnuese njihen e shpërblehen për punën e akademisë përmes “training compensation” dhe mekanizmave të solidaritetit, por kjo nuk bëhet me improvizim.

Stadiumi dhe infrastruktura: kjo është politikë publike, jo dekor

Stadiumi dhe infrastruktura stërvitore janë nyje kyçe. Pa kushte fizike, klubi nuk prodhon as futboll cilësor, as përvojë tifozësh, as të ardhura, as sponsorë. “Përparim Thaçi” është vendi ku Komuna duhet të jetë partnere e hapur dhe aktive, sepse infrastruktura sportive është infrastrukturë komunitare.

Është për të ardhur keq që qyteti i dytë më i madh në Kosovë ka një stadium i cili terrenin e ka më të keq se para 15 vitesh, dhe tribunat i janë shndërruar në kantiere të papërfunduara ndërtimi. Mos të flasim për siguri, ndriçim, hapësira të tifozëve apo hapësira rekreative që i shtojnë ekonominë ditës së ndeshjes.

Çdo debat për rezultate mbetet i cunguar pa stadium serioz. Standardet europiane e trajtojnë stadiumin si kriter bazë: UEFA e thotë mes rreshtash vazhdimisht që infrastruktura nuk është luks, por kusht për zhvillim.

Pesë hapa për ta nisur ndryshimin strukturor

Lajmi i mirë është që, sado i pashpresë aktualisht, ndryshimi mund të bëhet. Fatmirësisht, shembujt janë të shumtë dhe, duke ju referuar rasteve të suksesit në rajon dhe më gjerë, me pak vullnet dhe profesionalizëm, LIRIA shpejt mund të kthehet në binarët e duhur.

Këto pesë hapa janë propozime, jo formulë fikse. Mjafton të mblidhen profesionistët dhe hisedarët për t’i shtuar apo përshtatur:

● Krijimi i një Këshilli të Hisedarëve të Lirisë me akterët e lartpërmendur, me rol mbikëqyrës dhe transparencë.

● Manual i qartë për menaxhimin privat, me auditim, garanci dhe indikator të matshëm në kontratën për menaxhim.

● Drejtori sportive me mandat 18–24 muaj, që garanton stabilitet dhe metodologji të unifikuar.

● Akademia si prioritet #1, me rrugë të qartë për talentin dhe hapësirë të planifikuar për të rinjtë në ekipin e parë dhe plan vjetor huazimesh.

● Marrëveshje Komunë–Qeveri–Klub për infrastrukturën, me plan 5-vjeçar fazash dhe raportim publik çdo vit për ecurinë e ndërtimeve.

Në fund, kjo është thjesht një thirrje nga një ish-futbollist dhe dashamir i futbollit dhe i Lirisë. Të gjithë duam ta shohim Lirinë të fitojë, por më shumë duam ta shohim të zhvillohet si duhet, që talenti i Prizrenit të mos ketë arsye të ikë, dhe që klubi të mos mbetet peng i improvizimeve.

Liria është institucion i Prizrenit, dhe institucionet ndërtohen me proces, me standard dhe me përgjegjësi.

P. S  Autori është bashkë-drejtues i organizatës GERMIN dhe konsulent zhvillimi; udhëheq projekte dhe iniciativa për angazhimin e diasporës në zhvillim dhe diplomaci publike, me fokus te reputacioni ndërkombëtar i Kosovës dhe lidhjet e saj me komunitetet jashtë vendit.

Asnjë koment

Comments are closed.