25-11-2024

Punimet në një rrugë në Prizren, ngjallin reagimin e qytetarëve

Qytetarët që banojnë në rrugën “De Rada” në Prizren ankohen për pengesat që po u sjell shtrirja e rrjetit të kanalizimit në këtë rrugë.

Sipas tyre, në këtë segment rrugor është punuar disa herë përgjatë dy viteve. Ata  thonë se përveçse kanë pengesa në qarkullimin e automjeteve, po pengohen edhe në punën në bizneset e tyre.

Vendosja e rrjetit të kanalizimit në rrugën “De Rada” në Prizren, ka ngjallur reagime të qytetarëve, raporton RTKlive.

Ata thonë se bizneset kanë mbetur pa punë dhe qarkullimi rrugor shumë i frekuentuar po has në vështirësi.

“Këtu si për shembull nja 10 herë kanë punuar për qet kanal. Qet rrugën tash e kanë shtruar, si as një vjet valla”, tha Rami Shaljani, banor në rrugën “De Rada”.

Investimi është donacion disa milionësh i qeverisë gjermane përmes KFW-së. Komuna ka dhënë pëlqimin për këtë projekt, ndërsa kontraktori është i obliguar t’i përmbahet dinamikës së punës, tha drejtori i shërbimeve publike Çelë Lama.

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe rrugë

“Një investim i tillë komuna nuk ka qysh ta refuzojë, kompania e cila e bën këtë hapje, ka me kthyar infrastrukturën në gjendjen ekzistuese, do me thënë, qytetarët të kenë durim, që brenda një afati kohor dy deri në tri javë do të na përfundojë ky projekt”, tha pwr RTK Çelë Lama, drejtor i shërbimeve publike.

Sipas drejtorit të departamentit për ujëra të ndotura pranë KRU “Hidroregjioni Jugor” studimi i gjendjes së kanalizimit në këtë terren është bërë pas rehabilitimit të kësaj rruge.

“Qeveria gjermane përmes një kompanie konsulente, kontraktuese, e ka bërë incizimin e komplet rrjetit të pellgut që ujin e ndotur e dërgon në impiant. Sepse interesi i qeverisë gjermane dhe i KFW -së i donatorit, është ti lidh projektet e saj, do të thotë fillimisht e ka ndërtuar impiantin, tash e rregullon sistemin e kanalizimit, në mënyrë që të rritet ndotja në impiant, sepse impiantet ndërtohen për të trajtuar ujë të ndotur”, tha për RTK Lulzim Paçarizi, drejtor i departamentit për ujëra të ndotura KRU ‘Hidroregjioni Jugor’

Sipas  drejtorit Lulzim Paçarizi, ky projekt është donacion i pastër i qeverisë gjermane dhe as komuna e as Hidroregjioni Jugor nuk kanë obligim financiar ndaj punë kryerësve. KFW gjermane pritet të realizojë edhe disa projekte të tjera në Prizren

Asnjë koment

Comments are closed.