QRTK në Prizren reagon ndaj deklarimeve mediale të kryetarit Haskuka
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren nëpërmjet një komunikate për opinion, ka reaguar ndaj disa deklaratave mediale të kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka, duke sqaruar se nuk është politike dhe se njollosja e institucioneve nuk i shërben askujt.
”Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) është institucion profesional e shkencor dhe funksional e aktiv në mbrojtjen, studimin e promovimin e trashëgimisë kulturore me një përvojë mbi 50 vjeçare. Ky institucion ka të gjithë profilet e profesionistëve të Trashëgimisë Kulturore dhe kryen punën për të cilën është e thirrur me dinjitet dhe kredibilitet të plotë. QRTK nuk është politizuar në të kaluarën dhe nuk është politik as sot. Njollosja e institucioneve nuk i shërben askujt, aq më pak juve si i pari i qytetit.
“Sa i përket pohimeve tuaja në media, do të i listojmë të pavërtetat e thëna:
- QRTK-ja në asnjë rast të vetëm që nga koha kur ju jeni kryetar Z. Haskuka, nuk e ka vonuar as edhe një lëndë të vetme të ardhur nga Drejtoria e Urbanizmit. Për këtë mund dhe duhet të konsultoheni me Drejtorinë e Urbanizmit para se të bëni deklarime publike të pavërteta.
- Gropa (lokaliteti arkeologjik në Sheshin e Lidhjes) e cekur nga ju nuk ka të bëj me QRTK-në. Asnjëherë nuk kemi punuar aty dhe asnjë projekt nuk është dërguar nga ne në Drejtorinë e Urbanizmit. Sa i përket kësaj pike, shpresojmë që vetëm jeni i painformuar. Nëse je i painformuar, kërko dokumente nga Drejtoria e Urbanizmit e informohuni drejtë.
- Kërkesë për restaurimin e Xhamisë së Maksut Pashës, një e tillë asnjëherë nuk ka ardhur në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. Mos keq-informoni opinionin publik.
- Sa i përket hapjes dhe mbulimit të kanaleve dhe heqjes e vendosjen e kubzave në rrugët e Qendrës Historike të Prizrenit, pëlqimi duhet të merret nga QRTK-ja, jo pse e kërkojmë ne, por sepse e kërkon ligji. Edhe në këtë rast intervenimet emergjente trajtohen si emergjente dhe përgjigjja nuk vonon.
- Sa i përket rregullimit të Shatërvanit, qytetarët e Prizrenit e dinë mirë që asnjë ndryshim nuk është bërë në të, së paku jo për të mirë. Sot Qendra Historike e Prizrenit është shndërruar në parkingun më të madh të qytetit. Në këtë pikë Qendra Historike qëndron larg më keq së kurdoherë në të kaluarën.
- QRTK-ja e kryen punën gjithmonë, me përpikëri, profesionalizëm dhe me dinjitet, duke i zbatuar të gjitha të drejtat dhe obligimet që ia ngarkon legjislacioni në fuqi. Kryetar, drejtorët (këshilltarët) tuaj janë ata që fshihen pas QRTK-së kur marrin vendime në QHP. Bile zyrtarët komunalë shkojnë aq larg sa që dokumentet zyrtare të cilat i dërgon QRTK-ja Komunës, i japin palëve duke u thënë se QRTK-ja po ka kushte se sa për ne e kishe bërë projektin sipas dëshirës.
- Z. Kryetar sa herë që keni pasur nevojë, drejtorët tuaj kanë kërkuar asistencë nga ekspertët e QRTK-së, dhe këtë asistencë siç ju kemi ofruar në të kaluarën, do t’ua ofrojmë edhe në të ardhmen. Por këto rregullore duhet të zbatohen dhe duhet të zbatohen nga ju dhe të zgjedhurit tuaj (ju obligon ligji).
- Z. Kryetar, Drejtoria e Shërbimeve Publike e cila është nën menaxhimin tuaj ka vepruar pa pëlqim në Qendrën Historike të Prizrenit në shumë raste, që është diçka e kundërligjshme. Kurse edhe tejkalimi i lejes, përbën shkelje ligjore.
- Z. Kryetar me ligjin për Qendrën Historike keni mjete financiare shtesë për QHP-në, dhe keni obligime. Deri më sot, për afër 2 vite që ju jeni në krye të Prizrenit, Komuna nuk ka investuar as edhe një cent për Trashëgiminë Kulturore.
Për fund, Z. Kryetar, Prizreni është i njohur për shumë gjëra, por trashëgimia kulturore e zë vendin e parë padyshim, dhe si e tillë duhet të ketë trajtim të veçantë edhe nga ju.
Z. Kryetar iu këshillojmë të kryeni obligimet ligjore përballë Trashëgimisë Kulturore të Komunës së Prizrenit, e në veçanti obligimet e dala nga Ligji i Qendrës Historike të Prizrenit në Qendrën Historike”, thuhet në fund të këtij reagimi.