03-12-2024

Rahovec: Latifi u kërkon nëpunësve respektimin e orarit, ata kërkojnë leje për faljen e xhumasë

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në takimin me punëtorët e administratës komunale ka diskutuar për respektimin e orarit të punës dhe pajisjen e tyre me kartela për vijueshmërinë në punë si dhe sanksionet për mos respektimin e orarit të punës.

Ai ka thënë se takimi është i karakterit informues, ndërsa arsyeja e projektit është që të dihet për angazhimin e nëpunësve, përfshirë atë se kur vijnë, kur dalin dhe kur përfundojnë orarin e punës.

“Nga sot e tutje do të nis zbatimi i sistemit për vijueshmërinë tuaj në punë. Do të kërkoj nga shefi i zyrës së personelit, që çdo muaj, të më raportoj në lidhje me vijueshmërinë e secilit punëtor”, ka thënë Latifi, thuhet në njoftimin e komunës.

Ai tha se kjo bëhet për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, pasi që kohë pas kohe ka ankesa nga qytetarët për mos prezencën e punëtorëve nëpër zyrat e tyre, ndërsa kjo ndikon në imazh të keq si për punëtorët ashtu edhe për vetë kryetarin.

Kreu rahovecas, ka kërkuar respektimin e orarit të punës, që të mos ketë nevojë për masa, deri të dërgimi në komisione disiplinore.

“Jam në koordinim të plot me sektorët përkatëse përfshirë edhe atë për Buxhet dhe Financa, që punëtorët të cilët nuk e respektojnë orarin e punës, t’ju ndalen mëditjet”, u ka thënë Latifi, punëtorëve.

Kërkesat e punëtorëve të administratës kishin të bënin me mundësinë e krijimit të tollovis në mëngjes fillimin e punës, në pauzë apo edhe në përfundimi të orarit të punës, tek pajisja ku duhet të vendoset kartela për vijueshmërinë në punë,  gjatë kohës së dimrit të ndryshohet ora e pauzës, problemi me parking të veturave, bërja publike e vijueshmërisë së punëtorëve dhe lejimi i punëtorëve të cilët çdo të premte, shkojnë për të falur xhumanë.

Njoftohet se Kryetari Latifi është përgjigjur në kërkesat e punëtorëve, duke thënë se sigurisht, që do të kihet mirëkuptim për raste të veçanta, dhe do të konsultohet ana ligjore.

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.