25-04-2024

Rahovec: Sanksione për hudhësit e mbeturinave jashtë vendeve pëkatëse

Kryetari i Komunës së Rahovecit,  Smajl Latifi, përmes një njoftimi parapalajmëron të gjithë qytetarët, operatoret ekonomik dhe ekonomit familjare, se nga data 21 maj, do të merren sanksione në kuadër të mandatit ligjor dhe autorizimeve që ka Komuna e Rahovecit, ndaj të gjithë personave juridik dhe fizik,  të cilët i hudhin mbeturinat e amvisërisë dhe ato inerte (të ngurta) në ato vende që nuk janë të përcaktuara nga autoritetet e komunës.

Duke pasur parasysh fenomenin e ndotjes së ambientit me hudhjen e mbeturinave në deponi ilegale dhe në mënyrë të pakontrolluar, Komuna e Rahovecit në bashkëpunim edhe me vullnetarët ka filluar pastrimin e deponive ilegale në mënyrë që të kemi një ambient të pastër.

Në njoftimin e zyrës së shtypit, thuhet se Komuna e Rahovecit ka krijuar një Task-Forcë (ekip të posaçëm) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Inspektoriatin e Komunës së Rahovecit, Drejtorinë për Urbanizëm Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Ndërmarrjen komunale Eko-Regjoni si dhe kompanitë e tjera që operojnë në territorin e Komunës së Rahovecit, të cilat kanë për obligim ta monitorojnë 24 orë dhe 7 ditë në javë dukurinë e hudhjes së mbeturinave në vende ku nuk janë të përcaktuara.

“Kërkojmë nga qytetarët e komunës sonë që të bashkëpunojnë me inspektorët komunal, drejtorinë për shërbime publike, drejtorinë për urbanizëm, planifikim dhe mbrojtje të mjedisit dhe me policinë e Kosovës për parandalimin e hudhjes së mbeturinave dhe ndotjes së mjedisit”.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e komunës, që në rast se shohin persona të pa përgjegjshëm duke hudhur mbeturina në deponi ilegale apo vende që nuk janë të përcaktuara për hudhjen e mbeturinave nga Komuna, të lajmërohen në telefonin  045-134-001” thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.