20-04-2024

Prizren: Droga, shqetësojnë rastet, katër të akuzuar gjatë “Dokufest-it”

Përdorimi i substancave narkotike nga të miturit,  katër prej të cilëve janë arrestuar gjatë kohës sa mbahej festivali i filmit “Dokufest” në Prizren,  përbën shqetësim për institucionet e drejtësisë në këtë qytet.

 

Mbështetur në shënimet e Prokurorisë Themelore (PTH) të Prizrenit,  gjatë vitit 2017,  për veprat që kanë të bëjnë me narkotikë në punë kanë qenë 30 kallëzime penale, ndaj 43 personave. Gjatë kësaj kohe janë kryer 16 raste për të mitur, në të cilat janë akuzuar 22 persona për posedim dhe shitje të drogës, raporton portali “GazetaePrizrenit.net”.

 

Nazan  Shero,  prokurore në Departamentin për të mitur pranë PTH-së, tha se pos trajtimit të rasteve të posedimit të substancave narkotike nëpër shkolla, në shqyrtim ka pasur edhe katër raste të të miturve, të cilët janë arrestuar si të dyshuar gjatë mbajtjes së “Dokufestit”, të cilët janë arrestuar, në lokacionin mbi pjesën e Marashit, tek kampi veror.

 

“Këta të mitur zakonisht mohojnë akuzat, ndërsa arsyetohen se dozat e narkotikëve i kanë gjetur nëpër tokë apo i kanë blerë nga persona të panjohur ”, ka thënë ajo.

Hashashi është droga fillestare, eksperimentuese. Persona të moshës rinore tashmë pothuajse kanë filluar të flasin hapur mes shokësh për cigare të cilat përmbajnë hashash.

 

Një i  ri prizrenas, që punon në një lokal, me kusht anonimiteti, tha për “Gazetën e Prizrenit” se kur ndodh që ndonjë shok të jetë i disponuar, ai zakonisht tallet se “paska pirë ndonjë gazmore”. “Pra, kur i themi gazmore, bëhet fjalë për hashash”, tha ai.

 

Sipas disa informacioneve nga policia, të konfirmuara edhe nga disa të rinj, qesja më e lirë që përmban marihuanë, në tregun e Prizrenit shitet për 5 euro.  Në gjimnazin “Gjon Buzuku” është zbuluar mesazhi telefonik i një nxënësi, duke kërkuar çmim më të lirë për drogën.

 

Specialistët ngrenë shqetësimin se eksperimentimi me drogat e lehta nis, madje që në moshë të vogël, 15  apo 16 vjeç, në ambiente përreth shkollave. Për adoleshentët të cilët zgjedhin të vijojnë eksperimentimin, me hashashin zgjasin pak kohë, meqenëse më pas kërkojnë droga të tjera më të forta.

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.