22-12-2024

Rasti Thaçi e tjerët, ZPV dorëzon raportin e pestë mbi viktimat aplikuese, thotë se 21 i plotësojnë kushtet e katër jo

Zyra për Pjesëmarrje të Viktimave (ZPV) i ka dorëzuar raportin e pestë për aplikimet e viktimave për të qenë pjesëmarrës në procedurë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku sipas tyre 21 kanë plotësuar kushtet, ndërkaq katër nga aplikuesit nuk i kanë plotësuar.

Në këtë raport thuhet se ZPV vlerësoi nëse veprimet e përshkruara në aplikime duket se përbëjnë krime të supozuara brenda fushëveprimit të aktakuzës së ndryshuar dhe vlerësoi nëse ngjarjet e supozuara kanë ndodhur brenda shtrirjes gjeografike dhe kohore të aktakuzës, d.m.th. në Kosovë dhe në zonat e Shqipërisë veriore ndërmjet muajit mars 1998 dhe shtator 1999.

Sipas ZPV-së, aplikuesit pretendojnë krimet e mëposhtme: burgim/arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor/akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë dhe krimet për të cilat aplikuesit në Grupin A pretendojnë se janë viktima bien brenda parametrave materiale, kohore dhe gjeografike të akuzave, siç specifikohet në aktakuzën e ndryshuar.

Raporti thotë se ZPV vlerëson se krimet për të cilat parashtruesit e Grupit B pretendojnë se janë viktima nuk hyjnë në parametrat e akuzës, siç specifikohet në aktakuzën e ndryshuar, kurse  thuhet se në shqyrtimin e aplikacioneve në Grupin A, ZPV vlerësoi të tre llojet e dëmit, përkatësisht dëmin fizik, mendor dhe material.

“Me një përjashtim, të gjitha viktimat indirekte janë anëtarë të familjes së drejtpërdrejtë të viktimave të drejtpërdrejta. Në vlerësimin e ZPV-së, megjithëse Viktima-77/06 nuk është anëtar i familjes së një viktime të drejtpërdrejtë, ZPV konsideron se kërkesa për një marrëdhënie të ngushtë personale me viktimën e drejtpërdrejtë është demonstruar mjaftueshëm me deklaratën e kërkuesit”, thuhet në këtë raport.

Në vijim thuhet se të gjithë aplikantët në Grupin A përmbushin “prima facie” kërkesat e nevojshme për dëmin e pësuar, ndërkaq thuhet se  përveç kësaj, të gjitha viktimat indirekte plotësojnë kërkesën për sa i përket afërsisë së marrëdhënieve me viktimën e drejtpërdrejtë.

“Aplikantët Viktima-63/06, Viktima-64/06, Viktima-65/06, Viktima-66/06, Viktima-67/06, dhe Viktima-68/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të burgosjes, torturës dhe vrasjes së një anëtari të ngushtë të familjes. Anëtari i ngushtë i familjes supozohet se është dërguar në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëmtime fizike, mendore dhe materiale. Ata nuk posedojnë asnjë dokument mbështetës”, thotë raporti.

Tutje thuhet se parashtruesi Viktima-70/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar në periudhën përkatëse. Po ashtu thuhet se kërkuesi pretendon se ka pësuar dëm fizik, mendor dhe material dhe aplikanti ka dorëzuar dokumentacionin mbështetës për dëmtim mendor dhe ka treguar se nuk ka dokumentacion tjetër mbështetës.

“Parashtruesi Viktima-71/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëm fizik, mendor dhe material si pasojë dhe ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin mbështetës në posedim të tij. Parashtruesi Viktima-72/06 pretendon se është viktimë indirekte e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së një anëtari të familjes së ngushtë nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar brenda periudhës përkatëse. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëmtim mendor. Aplikanti tregoi se nuk kishte ndonjë dokumentacion për dëmtimin”, thuhet tutje në raport.

Sipas raportit, parashtruesi Viktima-73/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm dhe trajtimit mizor nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar brenda periudhës përkatëse dhe pretendon se ka pësuar dëmtime fizike dhe mendore dhe nuk ka asnjë dokument mbështetës.

“Aplikantët Viktima-74/06, Viktima-77/06, dhe Viktima-84/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së një anëtari të ngushtë të familjes. Anëtari i ngushtë i familjes supozohet se është dërguar në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëmtim mendor. Ata treguan se nuk kishin ndonjë dokumentacion mbështetës”, thotë raporti.

Në vijim thuhet se Parashtruesi Viktima-75/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar në periudhën përkatëse dhe pretendon se ka pësuar dëmtim mendor. Sipas raportit, aplikanti tregoi se nuk kishte ndonjë dokumentacion për dëmtimin.

“Parashtruesi Viktima-76/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëm fizik, mendor dhe material. Aplikanti tregoi se nuk kishte ndonjë dokumentacion për dëmtimin”, thuhet tutje.

Ndërkaq, thuhet se parashtruesi Viktima-76/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar në periudhën përkatëse dhe pretendon se ka pësuar dëm fizik, mendor dhe material. Aplikanti tregoi se nuk kishte ndonjë dokumentacion për dëmtimin.

“Parashtruesi Viktima-82/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e arrestimit të paligjshëm dhe trajtimit mizor nga UÇK-ja. Aplikanti mund të konsiderohet gjithashtu si viktimë indirekte e trajtimit mizor të anëtarëve të familjes së ngushtë. Ngjarjet e përshkruara mund të lidhen me një nga vendet e krimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëm fizik, mendor dhe material. Aplikantët dorëzuan të gjithë dokumentacionin mbështetës në dispozicion”, thuhet në vijim.

Sipas raportit, aplikantët Viktima-85/06 dhe Viktima-86/06 janë anëtarë të së njëjtës familje.

“Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të zhdukjes me forcë dhe ndalimit të paligjshëm të një anëtari të ngushtë të familjes. Anëtari i ngushtë i familjes supozohet se është dërguar në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëme mendore dhe materiale. Ata kanë dorëzuar dokumentacionin për dëme materiale. Ata nuk kanë asnjë dokument tjetër mbështetës”, thuhet më tej në raport.

Sipas raportit, parashtruesi Viktima-24/06 pretendon se është viktimë indirekte e arrestimit të paligjshëm dhe zhdukjes me forcë të një anëtari të familjes së ngushtë nga UÇK-ja brenda periudhës përkatëse.

“ Anëtari i afërt i familjes u dërgua në një lokacion të panjohur në territorin e Kosovës që nuk duket të jetë i lidhur me asnjë nga vendet e paraburgimit në aktakuzën e ndryshuar. Përkundër përpjekjeve të familjes për të marrë informacion në dy shtabet e supozuara të UÇK-së, fati i anëtarit të ngushtë të familjes mbetet i panjohur edhe sot e kësaj dite. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëm mendor dhe material si pasojë e këtyre krimeve. Aplikanti nuk posedon asnjë dokument mbi dëmtimin”, thuhet tutje.

 ZPV thotë se parashtruesi Viktima-81/06 pretendon se është viktimë indirekte e vrasjes së dy anëtarëve të familjes së ngushtë në shtëpinë e tyre familjare në Kosovë brenda periudhës përkatëse.

Tutje, thotë se ngjarjet e përshkruara nuk duket se janë të lidhura me akuzat siç janë specifikuar në aktakuzën e ndryshuar dhe se kërkuesi pretendon  se ka pësuar lëndime fizike dhe mendore dhe se ka paraqitur një raport mjekësor si dokument mbështetës.

“Parashtruesi Viktima-83/06 pretendon se është viktimë indirekte e vrasjes së dy anëtarëve të familjes së ngushtë në shtëpinë e tyre në Kosovë brenda periudhës përkatëse. Ngjarjet e përshkruara nuk duket se janë të lidhura me akuzat siç janë specifikuar në aktakuzën e ndryshuar. Kërkuesi pretendon se ka pësuar lëndime fizike dhe mendore. Aplikanti nuk ka asnjë dokument për dëmtimin Parashtruesi Viktima-87/06 pretendon se është viktimë indirekte e vrasjes së një anëtari të ngushtë të familjes në shtëpinë e tyre familjare në Kosovë brenda periudhës përkatëse. Ngjarjet e përshkruara nuk duket se janë të lidhura me akuzat siç janë specifikuar në aktakuzën e ndryshuar. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëm mendor dhe material. Aplikanti nuk ka asnjë dokumentacion mbështetës”, thuhet tutje.

Në fund, ZPV rekomandon gjyqtarin e procedurës paraprake që të pranojë si viktima pjesëmarrëse aplikantët e mëposhtëm: Viktima-63/06, Viktima-64/06, Viktima-65/06, Viktima-66/06, Viktima67/06, Viktima-68/06 , Viktima-70/06, Viktima-71/06, Viktima-72/06, Viktima-73/06, Viktima74/06, Viktima-75/06, Viktima-76/06, Viktima-77/06, Viktima-78 /06, Viktima-79/06, Viktima80/06, Viktima-82/06, Viktima-84/06, Viktima-85/06, dhe Viktima-86/06.

Kurse, thuhet se vlerëson se aplikantët Viktima-24/06, Viktima-81/06, Viktima-83/06, dhe Viktima-87/06 nuk kanë demonstruar mjaftueshëm në një bazë prima facie se ngjarjet e përshkruara në aplikimet e tyre nga të cilat ata pretendojnë se kanë pësuar dëme janë brenda fushës materiale, kohore dhe gjeografike të akuzave, siç përshkruhet në Aktakuzën e Ndryshuar.

“Rrjedhimisht,ZPV i rekomandon gjyqtarit të procedurës paraprake që t’i refuzojë këta aplikantë për pjesëmarrje si viktima në procedurë”, thuhet tutje.

Më pas në vendim përshkruhen masat mbrojtëse, të cilat i kanë kërkuar aplikantët.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.