25-04-2024

Arrestohet 39-vjeçari në Rahovec nën dyshimin se shtiu me armë

Policia e Kosovës (PK) njofton se është arrestuar M.M (39-vjeçar) nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri dhe të njëjtit i është sekuestruar arma automatike AK-47.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se i njëjti dyshohet për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me datën 26.07.2022 rreth orës 23:15, Stacioni Policor në Rahovec ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Çifllak-Rahovec. Pa vonesë patrullat policore ju janë përgjigjur rastit dhe në lokacionin e dyshuar kishin gjetur 10 gëzhoja të cilat dyshoheshin të kishin qenë të armës AK47”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, pas ndërmarrjes së veprimeve shtesë, operative dhe hetimore, Stacioni Policor në Rahovec kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin.

“Po ashtu në vendbanimin e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë automatike AK47 dhe një karikator i cili dyshohet të jetë përdorur në rastin”, thuhet tutje.

Bëhet e ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori, me vendimin e të cilit i dyshuari ndalohet për 48 orë në ndalim policor.

“Ndaj tij është iniciuar rast “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, njofton policia. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.