Reagojnë kryetarët e komunave: Askush s’është konsultuar me ne për masat e reja
Kryetarët e të gjithë Komunave të Republikës së Kosovës kanë reaguar ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministres së Administratës dhe Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, të cilët mbrëmë në konferencën për media, kanë deklaurar se për masat e reja anti COVID-19 jaën konsultuar me të gjithë krerët e komunave.
Në një reagim të përbashkët përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës, të gjithë kryetarët kanë thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, duke potencuar se asnjë prej 38 kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës nuk është konsultuar nga qeveria rreth vendimeve të mbrëmshme.
Për më tepër në këtë reagim thuhet se masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga data 15 janë jo-efektive për parandalimin e COVID-19 dhe kanë filluar të shkaktojnë kaos.
Gjithashtu të gjithë kryetarët e komuanve janë shprehur të pakënaqur me ndërrimin e shpeshtë të masave nga ana e Qeverisë.
Reagimi i plotë:
REAGIM I KRYETARËVE TË KOMUNAVE PËR MASAT E REJA ANTI-COVID19 DHE KONSULTIMET ME KOMUNA
Kryetarët e Komunave kanë reaguar përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës lidhur me masat e reja anti-Covid 19 dhe konsultimet me komunat.
Në reagimin dërguar Ministrit të Shëndetësisë (MSH) z.Arben Vitia dhe Ministres së MAPL-së znj.Emilia Rexhepi, e nënshkruar nga Zëvendës Kryetari i AKK-së z.Xhafer Gashi thuhet:
“Mbrëmë, me datë 13 prill 2020 më kërshërinë më të madhe të gjithë Kryetarët e Komunave dëgjuan masat e reja anti-Covid 19. Në paraqitjen tuaj dhe të znj. Rexhepi u theksua që këto masa, që mendohen të zbatohen nga data 15 prill 2020 janë konsultuar edhe 38 komunat e Kosovës.
Unë, pas deklaratës Tuaj dhe Ministres Rexhepi, jam konsultuar më kolegët e mi kryetarë dhe të gjithë më kanë thënë që askush nga komunat, të cilat ju i përmendët në deklaratat e juaja, nuk është konsultuar me komuna dhe nuk ka patur asnjë proces konsultues me komuna për këto masa. Andaj, me kërkesë të Kryetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës, si zv/Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës mendojmë që deklarata e Juaja dhe Ministres Rexhepi që komunat janë konsultuar për masat e reja anti-COVID 19 janë të pasakta dhe që një deklarim i tillë ka zgjuar një indinjatë dhe një zemërim te kolegët e mi, pra kryetarët e komunave.
Në anën tjetër, këto masa kanë filluar menjëherë të shkaktojnë kaos dhe tollovi si në komuna ashtu edhe vende tjera publike dhe në një formë janë kundër efektive në betejën për parandalimin e përhapjes se pandemisë COVID-19.
Reagimi i kryetarëve vjen si pasojë që Ju deklaruat që në procesin e hartimit të këtyre masave, pra ta ritheksoj, masave që do ndërmirren nga 15 prilli 2020, në asnjë moment komunat nuk janë konsultuar. Aq më keq, kur të gjithë kryetarët e komunave kanë shprehur gatishmëri të plotë për bashkëpunim që nga dita e parë dhe që kjo gatishmëri në këtë moment është anashkaluar tërësisht.
Është për t’u habitur se si po në këtë ditë kur ju i prezantuat masat e reja anti-COVID 19, po në atë ditë dhe një ditë përpara, pra të hënën dhe të dielën më 12 prill 2020 në mëngjes Komunat pranuan vendimet me rregulla tjera nga masat e paraqitura në mbrëmje.
Kryetarët e komunave theksojnë që kjo është non-sens se si ka mundësi që rregullat të ndryshohen brenda dite. Duhet theksuar që të gjithë Kryetarët e Komunave me përfaqësues komunal dhe përmes shtabeve komunale të emergjencës janë duke u ballafaquar në mënyrë të drejpërdrejtë me problemet e qytetarëve sa i përket COVID-19 dhe që komunat janë në vijë të parë të ballafaquar me luftën kundër përhapjes së COVID 19.
Kemi pritur një bashkëpunim më të sinqertë nga ana Juaj dhe ministres znj. Rexhepi sepse e kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit që nga fillimi, mirëpo në këtë rast, Kryetarët e Komunave mendojnë që kanë qenë totalisht të anashkaluar dhe jo të konsultuar në marrjen e vendimit sa i përket masave të reja anti-COVID 19 që do të zbatohen nga data 15 prill 2020
Mbesim me shpresë se bashkëpunimi me komuna në të ardhmen nuk do të jetë si në vendimet e mbrëmshme dhe urojmë që Kosova ta tejkalojë këtë situatë sa më lehtë që është e mundur. Mirëpo, ne vlerësojmë që për ta tejkaluar situatën sa më lehtë koordinimi dhe bashkëpunimi me komunat duhet të jetë i sinqertë”.