23-11-2024

Reagon Haradinaj: I papranueshëm vendimi i KSHC’së për mbylljen e Universiteteve në Prizren, Pejë e Mitrovicë

Haradinaj ka thënë se ky vendim është i papranueshëm dhe do të veprojë menjëherë duke ndërmarrë hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate.

“Është i pa pranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri Universiteteve Publike; atij në Pejë, në Mitrovicë dhe në Prizren. Si kryeministër i vendit, e konsideroj të padrejtë mohimin e mundësisë për regjistrim të studentëve, duke ua humbur atyre vitin. Ndaj këtij rasti do të veprojmë menjëherë, duke ndërmarrë hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate”, ka shkruar Haradinaj.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë sot ka vendosur që mos të akreditojë asnjë program të këtyre tri universiteteve publike për vitin 2019/2020.

Ndërkaq Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka sqaruar se Univeriteti i Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës mund të aplikojnë për akreditim vitin e ardhshëm, por këtë vit akademik nuk mund të pranojnë studentë të rinj.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Facebook nga ORCA, ku thuhet se këto universitete nuk do të mbyllen, por vetëm nuk mund të pranojnë studentë të rinj në vitin akademik 2019/2020.

“ORCA si organizatë monitoruese e KShC-së sqaron mediet dhe publikun se Universitetet e Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës nuk mbyllen mirëpo atyre nuk u lejohet regjistrimi i studentëve për këtë vit, ndërkohë që ato mund të aplikojnë sërish vitin e ardhshëm”, thuhet në njoftim./GazetaExpress

Asnjë koment

Comments are closed.