20-04-2024

Reprezentacioni i Kosovës një storie suksesi

Shkruan: Ma. Naif Jahaj

Bazuar në kohën prej pranimit të Kosovës në institucionet e futbollit ndërkombëtar UEFA dhe FIFA , mundësitë që reprezentacioni ynë të kualifikohej në një eveniment të madh ndërkombëtar ishin jo reale, por jo edhe të pamundura.

Sidomos pas formatit të ri të ligës së kombeve, ku grupi D si ligë promocionale është një mundësi,që një nga kombëtaret e vogla të arrijë këto evenimente e që fatkeqësisht nuk u shfrytëzua,edhe pse ishim afër!

Kjo u shfrytëzua për mrekulli nga Maqedonia Veriore e cila duhet t’i falënderohet pandemisë Covid-19, sepse po të luhej kjo ndeshje me Kosovën sipas orarit të rregullt, gjasat më reale për plasman i kishte Kosova, meqenëse kishim formë më të mirë.

Maqedonia e Veriut ishte edhe me fat pasi Kosovës i munguan lojtarët kyç, si: Muriqi, Rashica dhe Rrahmani. Pamundësia që këto mungesa të sanohen e hedh poshtë cilësimin jo real të reprezentacionit tonë si i ashtuquajturi  “Brazili i Ballkanit” nga disa opinionistë të futbollit kosovarë, të cilët me këtë krijuan iluzion te publiku futbolldashës se Kosova ishte e hendikepuar nga mospranimi në institucionet e futbollit ndërkombëtarë, se me potencial mund t’i ketë dy e tre reprezentacione sikur Brazili i vërtetë.

E vërteta është se tri mungesa nuk mund të sanohen e lëre më të kemi fond të lojtarëve cilësorë për dy e tri kombëtare siç i kanë shtetet si Brazili, Franca,Gjermania etj…!

Prandaj, është mirë që e kuptuam realitetin. Por duhet theksuar se Maqedonia e Veriut në kohën e fundit, ka një perferomancë të shkëlqyer edhe në ligen C ku për paksa nuk doli lidere e grupit dhe të plasohej në ligën B, dhe se fitorja ndaj Kosovës dhe Gjeorgjisë dhe plasmani në evenimentin e Europianit të ardhshëm nuk është aksident, por vije si pasojë e përgatitjes serioze të saj.

Ky organizim nxjerr në pah edhe profesionizmin e Federatës maqedone e cila edhe përkundër situatës pandemike arriti ta përgatis përfaqësuesen e saj për ndeshjet finale. Raste të tilla nuk përsëriten shpesh, dhe se kur ky rast vjen, atëherë duhet organizim serioz dhe duhet të merret shembull nga federata jonë.

Kosova si kombëtarja më e re në Europë megjithatë duhet të vlerësohet storie suksesi, sepse e kaloi ligen promocionale D, dhe arriti të mbetet në ligën C, përkundër performancës jo të mirë si pasoje e mungesave së disa lojtarëve kryesor dhe situatës së krijuar nga pandemia.

Do theksuar edhe fakti se Kosova ishte edhe kundërshtar i panjohur për ekipet kundërshtare në fillim, dhe se në të ardhmen do ta ketë edhe më vështirë përballjen sepse tani ka mjaftueshëm ndeshje të zhvilluara për t’u marrë seriozisht nga kundërshtarët e radhës.

Suksesi i Kosovës ka ardhë fal punës se dy selektorve Albert Bunjakut dhe selektorit aktual Bernard Challandes. Këta me punën e tyre kanë bërë një ekip, që në të ardhmen mund të vazhdoj të arrijë pjekurinë dhe stabilitetin të përballet edhe me kombëtare të rangut më të lartë.

Assesi nuk duhet harruar se gjithë kësaj i parapriu kryetari legjendar, Fadil Vokrri! /GazetaePrizrenit.net

( Autori ka të përfunduar Master futbolli dhe është mësimdhënës në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren )

P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.