Rigjykimi ndaj Nijazi Kryeziut / Mbrojtja: Provat janë marrë në mënyrë të kundërligjshme
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, mbrojtësi i të akuzuarit Nijazi Kryeziu, avokat Kujtim Kërveshi ka thënë se ekspertiza financiare e prokurorisë e propozuar si provë është marrë në mënyrë të kundërligjshme.
I lartcekuri po akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit ka keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Prokuroria e shtetit në mënyrë të kundërligjshme për të mos thënë në mënyrë klandestine e kontrabandon një provë të një gjykimi tjetër pranë kësaj gjykate”, ka thënë avokat Kerveshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, ai ka thënë se ka kundërshtuar dëgjmin e ekspertit Agim Sheqiri, për shkak se ai ka përgatitur një ekspertizë të vitit 2017 që nuk ka të bëjë me të mbrojturin e tij dhe që plotësimi i ekspertizës është bërë para një trupi tjetër gjykues.
Gjithashtu, ai tha se në vitin 2017 nuk ka pasur aktakuzë të ngritur ndaj Kryeziut por që aktvendimi mbi caktimin e ekspertit është për një çështje tjetër penale.
“I mbrojturi im nuk ka pasur aktakuzë në atë kohë e as aktvendim për fillim të hetimit, nuk ka pas as aktvendim për caktim të ekspertit financiar për çështjen e tij sepse aktvendimi për caktimin e këtij eksperti është i datës 17 maj 2017 për numrin e lëndës PP/I.nr.37/17, ku në bazë të këtij aktvendimi caktohet eksperti në fjalë për çështjen në fjalë Ilir Baldedaj nuk ka asnjë tjetër të dyshuar në këtë çështje penale, andaj e ashtu quajtuara ekspertizë që ka shërbyer në gjykim të dikujt tjetër vetëm në mënyrë klandestine mund të futet në këtë shqyrtim gjyqësor për shkak se i mungon themeli juridik i të njëjtës”, tha Kërveshi.
Ndërsa, Prokurori Mehdi Sefa ka thënë se ekspertiza në fjalë është siguruar në bazë të hetimeve që është zhvilluar në Prokurorinë Themelore në Prizren, ndaj drejtorit të administratës publike në Prizren në atë periudhë kohore, në çështjen penale ndaj të pandehurit Ilir Baldedaj.
Ai ka shtuar se, eksperti financiar në atë çështje ka qenë i angazhuar nga Prokuroria ka qenë Agim Sheqiri, i cili përveç që ka përfshirë drejtorin e adiminstratë publike në atë kohë Ilir Baldedaj, i ka përfshirë edhe drejtorët tjerë që kanë qenë në atë periudhë në atë qeverinë komunale dhe me kërkesë të mbrojtësit trupi gjykues ka pranuar që të bëhet ekspertizë shtesë edhe për drejtorët tjerë, të cilët kanë qenë të përmendur në atë ekspertizë.
Avokati Kërveshi ka kundërshtuar deklarimin e prokurorit Sefa duke thënë se ekspertiza është nxjerrë në mënyrë arbitrare nga prokuroria 4 muaj pas ushtrimit të aktakuzës dhe të njëjtën ka kërkuar nga gjykata ta shpall si provë të papranueshme tri nga ekspertizat e përpiluara nga eksperti Sheqiri.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka veçuar nga shkresat e lëndës si prova të papranueshme raportin e ekspertizës të ekspertit financiar Agim Sheqiri të përpiluar më 29 gusht 2017, raportin e ekspertizës të përpiluar më 19 mars 2018 dhe raportin e ekspertizës më 16 dhjetor 2019.
Po ashtu, gjykatësja Elezi ka veçuar nga lënda si prova të papranueshme deklaratat e ekspertit Sheqiri të dhënë pranë kësaj gjykate më 5 tetor 2020 dhe 11 nëntor 2020.
Prokurori Sefa ka kërkuar nga gjykata vendim të posaçëm lidhur me vendimin e gjykatës për vendimin e veçimit të provave si të papranueshme.
Për këtë gjykatësja Elezi ka thënë se shqyrtimi kryesor në këtë rast shtyhet deri sa ky vendim të arrijë plotëfuqishmërinë e tij.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren të akuzuarin Kryeziu më 21 shtator 2021 e ka liruar nga akuza për korrupsion, mirëpo Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës Prizrenit.
Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 01 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.