26-11-2020

Rrëfimet e pacientëve që fituan betejën me koronavirusin

Si është të jesh me Covid-19? Kjo është pyetja që njerëzit iu bëjnë atyre që kanë rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri. Më shumë se kuriozë, duan të dinë nëse simptomat e njëjta i kanë edhe ata.

KosovaPress sjell rrëfimet e tre të infektuarve të profileve të ndryshe që tashmë janë shëruar për të treguar sakrificën e tyre nga momenti kur iu është kumtuar lajmi se janë pozitiv me COVID e deri te momenti i shërimit.

Muhamet Sjediu, këngëtar, Albena Reshitaj deputete në Kuvendin e Kosovës dhe Bedri Asllani, operator në Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, janë prekur më virusin SAR-COV-2 në kohë të ndryshme, por sfidat dhe frikërat për shëndetin e tyre i kanë pasur pothuajse të ngjashme.

Fillimisht ata tregojnë për simpotmat e para që iu paraqitën.

Sejdiu: Isha shume i lodhur, nuk kisha forcë

“Nxehtësi e madhe, lagështi, edhe si kemi shkuar aty, une e kam pësuar keq menjëherë, e kam humbur imunitetin ende pa filluar muzika. Jemi kthyer në shtëpi, të nesërmen kur jam çuar e kam vërejtur që nuk jam mirë. Aq kisha lodhje, nuk kam pasur forcë… Edhe një ditë kam qëndruar pastaj e kam vënë re që është lodhje më e madhe dhe e kom telefonuar profesor Sali Ahmetin dhe më ka thënë ‘nisu për Prishtinë’”, nis rrëfimin këngëtari Muhamet Sejdiu.

Reshitaj: Fillimisht kisha plogështi

“Pas senacës që e kishim këtu të premten, e kisha një plogështi që se kisha ndjerë asnjëherë dhe kokëdhembje, dhe pak e injorova si simptomë se thash me siguri jam lodhur gjithë ditën në seancë. Të nesërmen në mëngjes fillova të kem kokëdhimbje shumë të madhe dhe disa ethe e temperaturë të lehtë. Pastaj u konsultova me disa mike te mia mjeke dhe njëra më sugjeroi të vizitohem. Meqë erdhëm në përfundim se mund të jem e infektuar e bëra testin dhe pas dy dite e mora rezultatin që jam pozitive”, tregon deputetja Albena Reshitaj.

Asllani: Ndjeva lodhje dhe më pas edhe ethe

“Atë ditë pas punës kam shkuar në shtëpi, kam qenë pak si i lodhur, dikur në mbrëmje e kam ndjerë një lodhje të madhe, u freskova me një dush pastaj më kapen ethet. Më vonë tëmperuaturë, natën kam pasur dhembje ne kokë, kam pasur simptoma goxha të rëndë…”, rrëfën simptomat e para Bedri Asllani.

Sejdiu para se të diagnostifikohej me sëmundjen COVID-19, kishte udhëtuar në disa shtete për shkak të angazhimeve me mbrëmje muzikore. Pas kthimit në Kosovë atij iu shfaqen simptomat por që nuk ia mori mendja se ishte infektuar me koronavirus, derisa gjendja e tij u përkeqësua dhe u detyrua të paraqitej në Klinikën Infektive.

Sejdiu: Në spital mu përkeqësua gjendja

“Tërë ditën me ethe atë ditë, mu përkeqësua gjendja edhe prej frike, kam dalë korridor në spital, unë se njoha por ai më njohu ishte doktor Valbon Krasniqi më tha ‘qe po vij’, erdhi dhe më mati oksigjenin, tha ‘ke mungesë (të oksigjenit) po sjellim bombolën të japim oksigjen, nuk e ki shumë gjendjen e rënduar po edhe një dozë inhalim duhet të blihet me për ta bërë, më tutje me terapi vazhdojmë pas rezultateve pastaj merret me ty profesor Sali Ahmeti’. I kam marrë ato, fillova pak më lehtë me marrë frymë”, tregon Sejdiu që po priste në ankth rezultatin për COVID-19 ku më vonë iu kumtuar se ishte ai dhe bashkëshortja e tij ishin pozitivë.

Deputetja e AAK-së dhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshtiaj, ishte ndër deputetet e para që u shfaq në publik me maskë kur Kosova ende nuk ishte vatër e epidemisë. Megjithatë, Reshitaj nuk i shpëtoi kësaj sëmundjeje. Ajo rezultoi pozitive me COVID-19.

Reshitaj tha se pavarësisht se e kuptonte situatën kishte momente kur ishte përfshirë nga paniku. Mirëpo, falë terapisë ia doli që për pak ditë të merrte veten dhe të ndihej më mirë me shëndët.

Reshitaj: Pavarëisht se e kupton situatën, ka momente paniku

“Nuk është ndjesi e mirë normalisht, fillimisht krijohet një ndjesi e panikut, sado që ne si personal shëndetësor e kuptojmë të gjithë situatën, është një situatë që ti nuk mundesh ta kontrollosh në disa momente. Fillova të mendoj se si kanë me qenë simptomat në ditët e ardhshme, i mendoja të gjitha kategoritë e pacientëve, atyre asomptomatik, atyre me simptoma të lehta e deri te rastet që kalonin në pneumoni dhe hospitalizoheshin, e përgatisja veten për te tri llojet dhe se si duhet te veproja menjëherë për ta trajtuar rastin tim. Mirëpo unë pata fat pas dy dite fillova të ndihesha më mirë, pasi përdora një terapi për rritje të imunitetit, ne konsultim me miqtë e mi, profesorët e mi të Infektivës të cilët dua t’i përshëndes sepse ndonëse kanë qenë në vlugun e madh të punës më kanë lajmëruar dhe më kanë këshilluar se si të veproj”, tregon Reshitaj.

Operatori i Agjenicë së Lajmeve KosovaPress, Bedri Asllani, rezultoi pozitiv me COVID-19 dhe frika e tij më e madhe që virusi të prekte edhe familjen e tij tashmë kishte ndodhur. Vet ai, mori shërbimin në QKUK për dy ditë ndërsa në ditën e tretë pasi është ndjerë më mirë ka shkuar për vetëizolim në shtëpi.

Ai rrëfen se si sëmundja e ndau edhe nga fëmijët të cilët për një kohë as nuk i përqafoi.

Asllani: Në ditën e tretë jam liruar nga spitali

“Ditën e tretë me kërkesën time jam liruar prej spitalit, pasi e pash veten që po bëj shumë më mirë për dallim nga dita e parë dhe e dytë. Një ndjenjë interesante pasi edhe fëmijtë më afroheshin, ‘babi s’të kemi parë që tre ditë’ por nuk mundesha as t’i kapë, dy ose tri ditë pasi jam liruar prej spitalit jam munduar me ju shmang fëmijëve, një rast interesante ishte kur çika më tha ‘babi edhe mua ma ngjit virusin’ i thash pse, më tha ‘dua me ma ngjitë virusin pasi s’po mundem me ju përqaf edhe ty edhe mamin’”, tha Asllani.

Deputetja Reshitaj vendosi që gjatë kohës së vetëizolimit dhe shërimit të mos kërkonte në internet rreth COVID-19. Ajo e kuptoi se kjo po i shtonte ankthin, prandaj vendosi t’i rikthehej filmave, një këshillë që ajo ua jep të gjithë atyre që janë në vetëizolim.

Reshitaj: Që ta largoj mendjen nga sëmundja, më sugjeruan të shoh filma komedi

“Pastaj ka qenë një periudhë ku unë kam vendosur të ndërprej çdo komunikim dhe çdo mundësi informate me COVID dhe këtë sot ia këshilloj të gjithë atyre që infektohen me COVID-19 dhe nuk kanë simptoma shumë të rënda sepse po fillove të hulumtosh në internet të rrit panikun sepse virusi është më shumë të panjohura dhe nëse ne që vetë e kemi pasur si infeksion i zbulojmë ato të panjohura atëherë krijojmë panikë. Për një periudhë me sugjeruan që të shoh vetëm filma komedi dhe të mos merrem aspak me informata në lidhje me pandeminë apo COVID-19. Është një periudhë që t’i duhesh të përqendrohesh vetëm në rritjen e imunitetit të organizmit”, tha Reshitaj.

Këngëtari Muhamet Sejdiu ishte ndër rastet e para në vend, prandaj ai për dy javë deri në shërim qëndroi në Klinikën Infektive. Për katër ditë i është nënshtruar oksigjeno terapisë, ndërsa çdo të dytën ditë i bëheshin analizat. Megjithatë, pas katër ditësh kritike, Sejdiu dhe bashkëshortja e tij e morën veten.

Sejdiu: Tre-katër ditë kam marrë oksigjen

“Unë e mora veten, 3-4 ditë më nuk kam marrë oksigjen, as një gjë tjetër veç kam ndejt, ushqimi na sillnin nga jashtë se familja s’kanë mundur të vijnë prej fshatit për shkak te izolimit, as djemtë s’kanë dalë prej shtëpisë 16 ditë deri sa jemi kthyer na”, thotë Sejdiu.

Gjatë periudhës së vetëizolimit, Bedri Asllani ksihte shqetësime të pakta shëndetësore dhe me kalimin e ditëve po ndihej mirë me shëndet.

Asllani: Gjatë dy javëve të izolimit e kam kaluar lehtë

“Dy javë kemi qëndruar të izoluar, kemi pasur simptoma herë pas here po jo të rënda, filloi të lehtësohet gjithçka, nga fundi i këtyre javëve e ndjeheshim veten shumë mirë dhe e pritshim lajmin nga Instituti që jemi të shëruar edhe të vazhdojmë (me jetën normale)”, vijon rrëfimin Asllani.

Pas dy jave të shtrirë në spital, Muhameti dhe bashkëshortja e tij morën lajmin e mirë, se kanë dal negativë në të dy testet për COVID-19 .

Sejdiu: Kur u konfirmova i shëruar ishte dita më e lumtur e jetës sime

“Erdh testi i parë negativ,është dashur të bëhet dhe njëherë, ka qenë dita më e gjatë e jetës sime, që me marrë lajmin pozitiv apo negativ për të dytën herë. Ishte koha kur filluan të vinin pacientët e tjerë dhe vonoheshin (rezultatet) testet… më ka thirrë Dr. Valboni më ka dhënë lajmin më të gëzushem të jetës time tha, ‘ti edhe Xhevahirja keni dalë negativë për herë të dytë, rrini edhe sonte këtu edhe nesër në ora 12:00-12:30 shkoni për shtëpi, unë s’kam fjetur gjithë natën, gruaja flinte, unë dilja në ballkon, binte borë e shihja makinën si e kam parkuar para Infektives, me një kohë kam menduar që se voziti më kurrë atë makinë, por e shikoja dhe thosha që u bo me vozitë”, rrëfen Sejdiu.

Pavarësisht se ditën e parë të muajit prill binte borë, Sejdiu ishte njëriu më i lumtur në botë. Ai po linte Infektivë dhe po kthehej në shtëpi te djemtë që nuk i kishte takuar për më shumë se dy javë. Të shoqëruar nga Policia e Kosovës deri në Gjakovë, këngëtari kujton momentin e takimit me fëmijët.

Sejdiu: Gëzim i madh kur i takova sërish djemtë

“Ne (ora) 12:00 kemi dalë, policia që ruanin në ambientet e Infektives, thanë që duhet me na përcjellë deri në Gjakovë, unë me makinë pas tyre, binte shumë borë atë ditë, ata përpara deri te dera e oborrit. Ishte gëzim i madh kur jam takuar me dy djemtë, por prapë nuk i kam përqafuar, bashkëshortja nuk u përmbajt, unë më në distancë, pastaj kemi vazhduar edhe 10 ditë në izolim në shtëpi pastaj kemi vazhduar aktivitin”, rrëfen Sejdiu.

Pas dy javësh që kur rezultoi pozitiv, edhe Bedri Asllani u konfirmua si i shëruar. Pas marrjes së lejes se mund të dilte sërish, ai iu rikthye punës, ndërsa kujton se lajmi i mirë ishte se prej tij nuk ishte infektuar askush nga kolegët.

Asllani: I lumtur që nuk isha bërë shkak për infektimin e kolegëve dhe miqve

“Pas disa ditë që e mora konfirmimin prej Institutit që jam plotësisht i shëruar u ktheva në punë normal, më e mira e kësaj ishte se asnjë nga kolegët nuk ishte ifektuar prej koronavirusit, as miq e familjarë, perveç prindërve edhe gruas, nuk ka pasur (të tjerë) të prekur”, thotë Asllani.

Pas karantinimit dhe konfirmimit se është shëruar, edhe deputetja Albena Reshitaj, po ndihet më mirë dhe i është rikthyer punës. Ajo uron që ata që nuk janë prekur nga COVID të kursehen nga kjo sëmundje deri në zbulimin e vaksinës ndërsa për ata që po përballen me këtë sëmundje ka një tjetër apel.

Reshitaj: Ata që janë të infektuarin duhet të qëndrojnë të vetizoluar

“Për ata që nuk janë infektuar uroj të mos infektohen të kenë fatin deri sa të dalë një vaksinë dhe një mundësi për vaksinim për të gjithë. Ndërsa ata që janë infektuar dhe nuk kanë simptomë i lus të vetizolohen mbi të gjitha për familjarët e tyre të cilët mund të kenë rrezik për t’u infektuar e pastaj për të tjerët dhe mos të kenë shumë frikë nëse e kalojnë javën e parë pa shumë simptoma mos të kenë shumë frikë sepse organizimi i tyre po e përballon, vetëm të përdorin Vitaminë C, terapi të rekomanduara nga mjeku assesi të mos përdorin diçka që i rekomandojnë fqinjët apo dikush tjetër që e ka kaluar COVID-in”, thotë ajo.

Kur kanë kaluar më shumë se 4 muaj që kur është shëruar nga COVID-19, Muhamet Sejdiu thotë se është mirë me shëndet. Ai nuk i kupton personat që nuk besojnë në ekzistencën e këtij virusi ndërsa i fton të shkojnë në Infektivë.

Sa i përket dasmave, ato janë anuluar, por Sejdiu nuk e vret mendjen vetëm uron që të gjithë të prekurit me COVID-19 të shërohen dhe të vijnë ditë më të mira.

Sejdiu: Kush nuk beson në virus, të shkojë në Infektivë

“Ndihemi shumë mirë nuk kemi asnjë problem dashtë Zoti ta përballojmë këtë sfidë, kisha dashur t’ju shpreh ngushëllime të gjithë atyre që kane humbur më të dashurit e tyre, me të vërtetë nuk është situatë e mirë në Kosovë, ka njerëz që nuk besojnë në virus por unë kisha thënë si të gjithë që virusi është, ekziston dhe ai që nuk beson le të shkojë në Infektivë pa maskë, le t’i vizitojë ata (të prekurit). Po e vazhdojmë jetën, dasmat janë anuluar por ka qene e shkruar ne vazhdojmë presim ditë më të mira, bëjmë apel për durim dhe dashtë Zoti të shërohen të gjithë, deklaron Sejdiu

Ndryshe, numri total i rasteve pozitive në vendin tonë është 11.275 raste nga 43.544 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 390 raste të vdekjes. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri është gjithsej 6.961 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.924.

Asnjë koment

Comments are closed.