07-10-2024

Rreth 80 persona kanë falsifikuar vërtetimin e Veteranit

Rreth 80 persona deri tash kanë arritur që ta falsifikojnë vërtetimin e lëshuar nga Zyra e Qeverisë për Veteranë, në tentimin e tyre që fitojnë pensionin në vlerë prej 170 eurosh.

Ata u identifikuan në momentin kur aplikuan për këtë pension në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Bazuar në informacionet e Kohavisionit, rreth 30 të tillë janë nga rajoni i Pejës, ka nga Podujeva, Gjilani dhe komunat e tjera.

Për njërin nga këta qytetarë që nuk ishte në listat e veteranëve, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë.

Sipas prokurorisë, S.H. akuzohet për veprat penale “Falsifikim i dokumentit” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Për të prokurori ka kërkuar dënim.

Gazmend Syla, që udhëheq Zyrën për veteranë, ka treguar se si u zbulua rrjeti i qytetarëve që falsifikuan vërtetimin dhe nënshkrimin e tij.

Për rastin e S.H., dhe falsifikimin ka qenë në dijeni edhe Organizata e Veteranëve të luftës, por për shkak të hetimeve, e kanë mbajtur në heshtje rastin.

Prokuroria e Shtetit tashmë ka në duar të gjitha aplikacionet e veteranëve te UÇK-së.

Një hetim të detajuar për veteranët e ka kërkuar edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

Gjatë debatit parlamentar lidhur me rezolutën e paraqitur nga Vetëvendosje për formimin e një komisioni për pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së, Veseli kërkoi që hetimi të nisë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Ndërkohë, mbi 39 mijë qytetarë të Kosovës e Shqipërisë, që pretendojnë se janë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 24 maj kanë marrë pensionin mujor në vlerë prej 170 eurosh./koha.net/

Asnjë koment

Comments are closed.