23-11-2024

SBASHK-u pritet të vazhdojë grevën

Brenda pak minutash pritet të nis mbledhja e Këshillit drejtues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK).

Në këtë mbledhje pritet të diskutohet për ndryshimet e fundit në Projektligjin për paga si dhe nëse do të vazhdojë greva në Arsim.

Burime të “Kohës Ditore” brenda Kryesisë së SBASHK-ut kanë thënë se disponimi i punëtorëve të arsimit është që të vazhdohet edhe më tutje grevë.

Menaxheri për financa në SBASHK, Ymer Ymeri, ka thënë se ndryshimet e fundit në projektligjin për paga janë përafërsisht të njëjta me ofertën e Qeverisë.

Për këtë, sipas tij, nuk mund ta pranojnë projektligjin për paga.

“Janë dy mundësi: ose të tërhiqet projektligji dhe të qetësohet situata aktuale, ose që deputetët në seancë ta bëjnë një ngritje të koeficienteve, zgjidhje tjetër nuk ka”, ka thënë ai

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se kërkesa e tyre mbetet e njëjtë: 30% ngritje të koeficienteve në Projektligjin për paga.

Ai u ka kërkuar përfaqësuesve të sindikatës nga komunat e Kosovës që të deklarohen një nga një nëse janë për vazhdim të grevës.

 

Asnjë koment

Comments are closed.