27-06-2026

Selmanaj reagon ndaj raportimeve për qëndrimet e LDK-së së Prizrenit

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, reagoi menjëherë duke demantuar një raportim të publikuar në portalin Indeksonline, ku pretendohej për zhvillime të vonshme brenda degës së LDK-së në Prizren lidhur me qëndrimin e tij ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.

Përmes një reagimi publik, të postuar në “Facebook”, ai njoftoi se nuk ka pasur asnjë thirrje apo kërkesë për mbledhje të kryesisë së degës lidhur me pretendimet e ngritura në artikull.

Postimi i plotë:

REAGIM DHE DEMANTIM
Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Po ju drejtohem me këtë reagim për të demantuar vendosmërisht shkrimin e rremë dhe shpifjen që po qarkullon në portalin “ Indeksonline” me titull “Zhvillime të vonshme në LDK-në e Prizrenit, kryesia s’e përfillë Selmanajn për qëndrimin anti-Abdixhiku”.
Si Kryetar i Degës, ju njoftoj me përgjegjësi të plotë se asnjë thirrje dhe asnjë kërkesë nuk kemi pasur për mbledhje të kryesisë së degës lidhur me pretendimet e ngritura në këtë artikull. Ky lajm tendencioz ka për qëllim të vetëm krijimin e amullisë, konfuzionit dhe përçarjeve artificiale brenda strukturave tona, duke u përpjekur të dëmtojë imazhin tonë pikërisht në këtë kohë kur secili lajm ka të bëjë me LDK-në dhe debatet e brendshme.
Andaj, e kam për obligim para anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve tanë që të zbardh të vërtetën dhe të mbroj unitetin tonë të palëkundur. LDK në Prizren mbetet plotësisht e bashkuar dhe në koordinim të plotë me njëri tjetrin.
Secili gazetar dhe secila medie duhet të na kontaktojë para se të japë lajme të pavërteta me qëllim dëmtimin e LDK-së. Gazetaria e përgjegjshme ka për detyrë profesionale verifikimin e fakteve dhe jo shndërrimin në vegël të propagandave të qëllimshme. Zyrat tona mbeten të hapura për çdo konfirmim zyrtar.
Shpifësit nuk duhet të kenë vend në gazetari!

 

Asnjë koment

Comments are closed.