27-07-2024

“Shembet” Liria në Prizren, tifozët kërkojnë dorëheqjen e drejtuesve të klubit

Liria ka humbur në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren nga Trepça 89 me rezultat 0:4.

Futbolldashësit prizrenas pas fitores së futbollistëve të Lirisë në Gjilan pritën rezultat pozitiv, por u zhgënjyen pasi ‘Bardhezinjtë’ në shtëpi pësuan debakël, duke u mposhtur nga Trepça 89 me rezultat 0:4.

Që në minutën e 11 mysafirët treguan se nuk kanë ardhur në Prizren që të mbrohen, e megjithkëtë pjesa ë parë përfundoi pa gola.

Pjesa e dytë i takoi plotësisht futbollistëve të Trepçës 89, të cilët që në minutën e 47 kaluan në ëpërsi. Pas asistimit të Manajt, Martin Mirçevski shënoi golin e parë për ‘Xehetarët’.

Prizrenasit të vetmi rast në pjesën e dytë e patën në minutën e 79 nga ndërprerja, mirëpo goditja e ulët e Mustafës shkoi drejt në duart e portierit Beqiri.

Pesë minuta pa mbaruar koha e rregullt, mitrovicasit nga kundërsulmi i shpejtë dyfishuan epërsinë me golin e  Mujajt.

Tre minutat e lojës shtesë u shfrytëzuan nga futbollistët e Trepçës 89 edhe dy herë të tjerë.

Së pari Hasan Hyseni, pas asisitimit të Rusit, ngriti avantazhin në 3:0, kurse më pas Orgest Gava shënoi epilogun përfundimtar.

Shikuesit, rreth 2000, rreth 5 minuta kanë brohoritur në stadium “marre marre…” dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryesisë.

Pa përfunduar ndeshja shikuesit e kanë lëshuar stadiumin në shenjë pakënaqësie./sheshi

Asnjë koment

Comments are closed.