26-04-2024

Shfaqet ideja për Shtëpinë Muze të Ramë Bllacës

Në një takim të kryetarit të Komunës së Suharekës Bali Muharremajt me familjarët e veprimtarit të çështjes kombëtare, Ramë Bllaca doli ideja rreth rregullimit të shtëpisë muze dhe oborrit të saj, në fshatin Bllacë.

Politikan i patundur, me një urtësi dhe inteligjencë të pa shoq, Ramë Bllaca (1880-1937) arriti që në vitin 1921, të bëhet deputet për krahinën e tij, në kohën e qeverisë së Nikolla Pashiqit. Më parë ishte kishte kryer edhe pozitën e kryetarit të komunës në Duhël. Ai ishte shumë aktiv në luftën kundër serbëve, në vitet 1913-1915, pastaj kundër bullgarëve gjatë viteve 1915-1918. Të udhëhequr nga ai, luftëtarët shqiptar zhvilluan luftëra të ashpra kundër serbëve e bullgarëve, duke ju shkaktuar edhe humbje të mëdha. Ikja e mijëra njerëzve drejt Turqisë ishte e papranueshme për Bllacën.

Ai si deputet duhej doemos të vendosej në krye të lëvizjes kundër shpërnguljes, dhe këtë e nis me një shembull personal, në vlugun e shpërnguljeve ai thërret qindra mysafirë dhe nis ndërtimin e një shtëpie. Njerëzit filluan të mendonin ndryshe, filluan të thoshin “Ramë Bllaca nuk është i padijshëm,ta ndërtojë shtëpinë sot e nesër ta lërë shkretë e të shkojë në Turqi. Kujdes se i merrni në qafë fëmijë. Ju e dini se turqit gjithmonë kanë qenë armiq për ne, e tash kur u bënë miq! Kush e lëshon vatanin bën mëkat të madh dhe gabim të hatashëm!’’

Ai është përmendore e qëndresës shqiptare, e dashurisë për trojet shqiptare e sakrificës për tokën e jetën shqiptare.

Kryetari Muharremaj ka thënë se ishte i nderuar që pati në takim familjarët e veprimtarit Bllaca dhe se e kaluara jonë historike mbetet e veçantë dhe e vlefshme për të ardhmen./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.