Shtyhet gjykimi ndaj dy ish-drejtorëve të Drejtorisë së Financave në Komunën e Prizrenit
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, është shtyrë gjykimi ndaj dy ish-drejtorëve të Drejtorisë së Financave në Komunën e Prizrenit, Ertan Simitqi dhe Zenel Ahmetaj, të akuzuar për keqpërdorimi të detyrës zyrtare.
Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte ekspertiza e plotësuar financiare e përgatitur nga eksperti financiar Agim Sheqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë ekspertizë e kontestoi mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Durim Nevzati, i cili deklaroi se në vështrim të parë të ekspertizës së plotësuar nga ana e ekspertit financiar vërehet se e njëjta nuk është përpiluar konform urdhëresës së gjykatës, respektivisht për periudhën 01 janar deri me 31 dhjetor 2016, sipas kontratave të nënshkruara nga Ertan Simiqi, por e njëjta është bërë copy-paste nga ekspertiza financiare.
Tutje avokati Nevzati deklaroi se propozon që trupi gjykues të fton përsëri ekspertin Agim Sheqiri , që të sqarohen rrethanat lidhur me përpilimin e këtij plotësimi të ekspertizës.
Lexo edhe:
Burgim i përjetshëm për policin që akuzohet se vrau punëtorin e kazinos në Suharekë
Prokurori Mehdi Sefa, deklaroi se pajtohet me avokatin mbrojtës që të ftohet përsëri eksperti dhe të sqarohet në lidhje me pohimet e avokatit mbrojtës.
Pas kësaj trupi gjykues me kryetare, gjyqtaren Ajser Skenderi, aprovoi propozimin e mbrojtësit dhe vendosi që shqyrtimi i sotëm të shtyhet dhe i njëjti u caktua të mbahet më 02 nëntor 2020 në ora 10:00.
Sipas ekspertizës së paraqitur në seancën e mbajtur me 10 korrik ishte konstatuar se Drejtoria për Ekonomi dhe Financa, e udhëhequr nga Ertan Simiq, brenda periudhës 2015-16, ka lidh kontrata me TV lokale Opinionin, Besa dhe TV Prizreni në vlera të ndryshme dhe jashtë procesit të prokurimit, në shumën prej 17 mijë e 700 euro.
Eksperti Agim Sheqiri kishte deklaruar se çdo shumë që tejkalon 100 euro shpenzime, duhet t’i nënshtrohet procedurës së prokurimit, varësisht prej llojit dhe tipit të kontratës.
Tutje eksperti kishte deklaruar se në bazë të ekspertizës, në rastin konkret, kontratat që janë trajtuar në ekspertizë nuk janë nënshkruar nga drejtorët e drejtorive përkatëse, që do të thotë se për këto shpenzime të bëra drejtoritë nuk iu kanë nënshtruar konkurrencës së lirë por kanë nënshkruar kontrata të drejtpërdrejta me TV lokale.
Autorizimet për këto shpenzime pra janë bërë nga drejtorët përkatës në shuma të theksuara në vlerën prej 17 mijë e 700 euro nga Ertan Simiqi ndërsa 300 euro nga Zenel Ahmetaj, kishte deklaruar eksperti Sheqiri.
Lexo edhe:
Komuna e Prizrenit në vendet e fundit në Kosovë për Kulturë, Rini e Sport (Dokument)
Ndryshe Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2015, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ahmetaj, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës Prizrenit.
Sipas aktakuzës, Ahmetaj gjatë periudhës kohore 25 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 20 janar 2015, deri me 31 dhjetor 2015, me TV “Besa”, kishte lidhur kontratë prej 300 euro në muaj, që për 12 muaj arrin shumën 3600 euro, si dhe për të njëjtën periudhë dhe me shumë të njëjtë, kishte lidhur kontratë edhe me TV “Prizrenin”, ku për të tre televizionet arrin shuma prej 11.800 euro në vit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas aktakuzës, Ertan Simitqiu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Simitqi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën Prizrenit.
Në aktakuzë thuhet se Simitqi gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 e deri me 31 dhjetor 2016 kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë, kishte lidhur kontratat edhe me TV “Besa” dhe TV “Prizreni”, ku për të tre televizionet arrinte shuma prej 11.800 euro në vit.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.
Ndryshe, më 25 maj të vitit 2018, ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ai akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi