Shtyhet seanca e Kuvendit të Prizrenit që ishte caktuar në datën e shënimit të Ditës së Kushtetutës

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës, e thirrur nga kryesuesi i KK-së për datën 9 prill, shtyhet për një ditë. Sipas njoftimit shtyrja ka ndodhur për arsye se në datën e sipërpërmendur festohet Dita e Kushtetutës së Kosovës.

“Për shkak të festës zyrtare të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës që shënohet të enjten më 9 prill, mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës e thirrur po në këtë datë është shtyrë për të premten më 10 prill”, thuhet në njoftim. Aty theksohet se mbledhja do të mbahet në ora 10:00 në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” dhe se në rend të ditës është informimi i kuvendarëve rreth situatës së pandemisë COVID-19 dhe veprimet e ndërmarra nga Komuna e Prizrenit; si dhe shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga të hyrat vetjake të vitit 2018 dhe 2019 në vitin 2020.

Pas këtij njoftimi në rrjetet sociale kanë reaguar aktivistë të shoqërisë civile, duke shprehur dilema për seriozitetin e pushtetit lokal të Prizrenit.

Të premten që shkoi, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka në rrjetet sociale pat theksuar se grupet e kuvendarëve kanë shprehur interesimin për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të KK-së lidhur me menaxhimin e pandemisë aktuale. “Si kryetar i Komunës, nuk kam asgjë kundër organizimit të kësaj seance, përpos asaj që besoj se nuk ia vlen të rrezikohet shëndeti i vetë kuvendarëve duke qenë në kundërshtim me masat që duhet të merren për parandalimin e virusit COVID-19 sipas rekomandimeve të institucioneve të nivelit qendror”, ka shkruar Haskuka. Ai pat shprehur qëndrimin që nëse insistohet për seancë të jashtëzakonshme, “atëherë ajo edhe mund të mbahet, duke pasur idenë e qartë se çka do të arrijmë me organizimin e kësaj seance”.

Ndërkaq drejtori i Shëndetësisë dhe njëherësh koordinatori i Shtabit emergjent komunal, Visar Shehu të premten që shkoi në rrjetet sociale pat kërkuar nga kuvendarët që të respektojnë vendimet dhe masat për pandeminë me koronavirusin.

“Për ata që kanë dëshirë të dalin në media ju lus që të postojnë video nga shtëpitë e tyre ku do duhej të janë (vetizolim), përndryshe nëse mbahet mbledhja e asamblesë unë nuk do marrë pjesë, arsyeja zbatimi i masave mbrojtëse!”, ka shkruar ai, duke shtuar se në rast nevojë mund të lidhet drejtpërdrejtë përmes aplikacioneve në dispozicion./koha.net