26-04-2024

Shtyllat e vjetruara të elektrikut, shqetësimi për banorët e Senikut të Malishevës

Në kuadër procesit të hartimit të projekt buxhetit për vitin 2020, po vazhdon mbajtja e dëgjimeve publike në vendbanimet e Komunës së Malishevës. Mbrëmë është mbajtur dëgjimi në fshatin Senik, ku banorët e fshatit i kanë prezantuar disa nga nevojat që kanë, por sipas tyre, ajo që më së shumti kanë nevojë, është ndërrimi i shtyllave të energjisë elektrike, pasi ato jenë të vjetruara, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në kumtesën e komunës, thuhet se në këtë takim, fillimisht drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, e ka prezantuar qarkoren buxhetore, me theks të veçantë, shtyllën buxhetore të investimeve kapitale. “Buxheti për investime kapitale, është 3 milion e 850 mijë euro për vitin 2020 dhe ky buxhet do të ndahet për investime në të gjitha vendbanimet.

“Jemi të vetëdijshëm se ky kufizim buxhetor nuk i plotëson nevojat që kemi si komunë, por jemi këtu që bashkërisht ti paraqesim nevojat dhe ti nxjerrim prioritetet, në mënyrë që hartimi i listës së projekteve kapitale, të hartohet nga kërkesat që dalin gjatë këtyre takime”, tha ai.

Më pas banorët, i kanë paraqitur nevojat dhe shqetësimet e tyre. Ata janë ankuar se kanë problem me shtyllat e vjetruara të rrjetit të energjisë elektrike, dhe disa prej tyre paraqesin rrezik, andaj kërkuan nga komuna, që të bëj presion tek kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e këtij rrjeti, që urgjentisht të ndërmarr masa për zëvendësimin e tyre.

Përndryshe, banorët e Senikut, thanë se kanë nevojë për ndërtimin e trotuarit në fshat, shtrimin e disa rrugëve, zgjerimin e rrjetit të kanalizimit, disa rrugë në lagjet e fshatit, meremetimin e një rruge të dëmtuar, si dhe shtrirja e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “Jonuzaj”./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.