Situatë alarmante nga shiu në Suharekë (foto)
Suhareka pas pësuar dëme të mëdha nga vërshimet e ujit, si pasojë e reshjeve të mbrëmshme të shiut. Për të ndihmuar kolegët e tyre dhe banorët e këtushëm kanë ardhur në ndihmë edhe zjarrfikësit nga Malisheva, derisa dëmet vlerësohen të jenë të mëdha si në qytetin e Suharekës e po ashtu edhe në fshatra, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Gjatë natës së mbrëmshme është lënduar Vehbi Krasniqi, shef i njësisë së zjarrfikësve në Suharekë. Kështu njoftohet në profilin e Komunës së Suharekës në “facebook”, por nuk thuhet se si ka ndodhur rasti.
Ndërkohë disa objekte të komunës, si ai i gjendjes civile dhe të institucioneve të tjera janë në ujë.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj situatën nga vërshimet e mbrëmshme e konsideron alarmante “Mbrëmë janë dëmtuar nga uji: rrugë, shtëpi banimi, institucione, kudo në terrenin e Komunës së Suharekës, të cilat rezultojnë me dëme të mëdha materiale”, ka deklaruar ai.
Muharremaj ka falënderuar Njësinë e Zjarrfikësve nga Malisheva për ndihmën, pastaj qytetarët, Policinë e Suharekës dhe institucionet tjera.
Ai ka njoftuar se ekipet e institucioneve komunale, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, janë në terren dhe do të intervenojnë aty ku ka nevojë./GazetaePrizrenit.net/