25-04-2024

Sot është Dita Botërore e Vajzave

Organizata e Kombeve të Bashkuara 11 tetorin e ka përcaktuar si Ditën Ndërkombëtare të Vajzave.

Kjo është vendosur për herë të parë në vitin 2012.

Për nder të kësaj dite, sot në Kosovë do të ketë aktivitete të shumta, të cilat synojnë të promovojnë të drejtat e tyre.

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në ambientet e Qendrës Studentore të Universitetit të Prishtinës nga ora 14:00 do të bëhet firmosja e veprës artistike “Vulose”. Kjo veprimtari do të zhvillohet nga sot, nga ora 14, kanë njoftuar organizatoret.

Duke shënuar këtë ditë artistja konceptuale dhe aktivistja Alketa Xhafa-Mripa dhe UN Women, bashkërisht me vajzat pjesëmarrëse në këtë vepër arti, do të shfaqin publikisht potencialin e vajzave përmes një murali fuqizues.

Të pranishmeve do ‘iu drejtohen koordinatorja për zhvillim nga Kombet e Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, dhe autorja e muralit, Alketa Xhafa-Mripa.

Nën sloganin global të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave “Fuqia e vajzave: E pashkruar dhe e pandalshme,” nëpërmjet kësaj vepre, ftohen vajzat që të jenë të pranishme në hapësira publike, të marrin pjesë në formësimin e së tashmes dhe që simbolikisht të vulosin një të ardhme të barabartë për to dhe gjeneratat e ardhshme.

Kjo ditë ndërkombëtare synon të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën në fusha të tilla si, ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, trajtimi, etj.

Sipas fakteve botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tre herë më shumë të keq ushqyera se djemtë. Çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15 vjeç janë të trafikuara, të shitura ose të detyruara të punojnë në tregtinë e seksit, gjithashtu vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsim dhe në shërbime të tjera bazë./k.net

Asnjë koment

Comments are closed.