Suharekë: Rënia e fasadës në një ndërtesë shqetëson banorët, Komuna pa informata
Shkaku i rënies thuhet të jetë pakujdesia gjatë vënies së fasadës, derisa banorë të këtij objekti thanë se janë të dëshpëruar me gjendjen, sepse për riparimin e objektit kontribuan edhe ata, raporton KTV.
Edhe pse u shkaktuan dëme të konsiderueshme, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se nuk pati të lënduar.
Muharremaj shtoi se komuna e tij do t’i marrë masat e nevojshme për këtë problematikë, derisa ende nuk kanë informata se cila kompani është përgjegjëse për punën e kryer në këtë objekt gjatë vitit 2017.
Përpos rënies së kësaj fasade dhe gjendjes së rënduar të objektit ku ata banojnë, banorët i kanë thënë ekipit të KTV-së se janë të shqetësuar edhe me zhurmën që krijohet nga lokalet poshtë objektit të tyre.
Sipas banorëve të kësaj pjese të qytetit, përkundër pengesave, askush nuk u konsultua me ta para hapjes së këtyre lokaleve në hyrje të objektit.