Taksa e “Rrugës së Kombit” si për bizneset e Shqipërisë edhe ato të Kosovës
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe ai i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, kanë zhvilluar dje takim me përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës, në kuadër të konsultimit me grupet e interesit përpara rivendosjes së tarifës së kalimit në rrugën Milot-Morinë.
Sipas tyre, në lidhje me këtë çështje është kryer një studim i cili ka nxjerrë dhe koston e mirëmbajtjes së këtij aksi.
Gjithashtu, Gjiknuri tha se qeveria po punon dhe për negocimin e taksës së “Rrugës së Kombit” në mënyrë që të zgjidhet dhe problemi i popullsisë lokale të Kukësit.
Kjo çështje do të zgjidhet si një problem i brendshëm pavarësisht se në të përfshihen dhe qytetarë të Kosovës.
“Ne biem dakord që një tarifë duhet. Problemi është se si ta zbusim dhe mitigojmë këtë tarifë. Çdo gjë që ulet këtu prapë e paguajnë qytetarët shqiptar dhe këtë duhet ta kuptojmë, pra Buxheti i Shtetit. Meqë u ngrit ky shqetësim, është bërë studimi dhe është nxjerrë kostoja e mirëmbajtjes dhe prandaj u detyruam të shkojmë tek praktika koncesionare. Rruga do minimalisht 7 milion euro në vit për mirëmbajtje dhe do dalë kjo shumë; ose do paguajnë gjithë shqiptarët ose përdoruesit e rrugës dhe kjo është e vërteta. Nuk janë kosto të fshehura ato.
Ne synojmë që për ata që janë udhëtarë të shpeshtë të kemi një zbritje dhe zbritja është duke u negocuar. Ne nuk do të bëjmë diskriminim tek bizneset. Nëse është bërë një përjashtim për qytetarët e Kukësit këto njihen dhe janë praktika në raport me komunitetet lokale për shkak të mungesës së rrugës alternative. Nuk do të krijohet një konkurrencë e pandershme për shkak të kostove të shtuara të transportit dhe me biznesin do të jetë praktika e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës. Pra, ketë gjë ne e kemi parimore pasi me të drejtë atëherë do të krijoheshin disbalanca të tilla”, theksoi Gjiknuri.
Ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri ranë dakord që bashkarisht të bëhen përpjekjet maksimale në drejtim të gjetjes së formave lehtësuese për mjetet e biznesit që lëvizin më shpesh në aksin Milot-Morinë. Gjithashtu, përfaqësuesit e biznesit i propozuan ministrave Ahmetaj dhe Gjiknuri që rifillimi i zbatimit të tarifës së kalimit të mund spostohet në kohë pasi të kalojë sezoni i ardhshëm turistik.
“Patjetër që ka një ndërgjegjësim, në të paktën një vit e gjysmë për atë që do të bënte tarifa e rrugës. Nuk diskutohet dhe diskutimi në ekuilibër midis kostos së rrugës dhe një kulture të re, nëse duhet ta themi kështu, por edhe kostos që do t’i ngarkonte qytetarët dhe bizneset ka qenë prezent. Ne jemi fokusuar në bazë të kontratës tek përdoruesit e shpeshtë. Kemi ndërtuar me Ministrin një logjikë financiare progresiviteti, pra për t’i dhënë një mundësi atyre që e përdorin rrugën. Pra, sa më shumë e përdor rrugën me kalime për kamion le të themi, aq më shumë ke mundësi të ulësh çmimin”, sqaroi ministri Ahmetaj./koha.net/