04-05-2024

Të rinjtë prizrenas, me sy nga perëndimi

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri theksoi se për fat të keq ikja po ndodh për shkak se të rinjtë nuk kanë shpresë për të mbetur këtu në Kosovë.

Për deputetin Albert Kinolli, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për të krijuar vende pune që këta të rinj mos të ikin nga Kosova. Ndërsa deputetja e Parlamentit të Kosovës, Teuta Haxhiu nga AAK-ja pohon se kjo nuk është ikje, por njerëzit shkojnë për të pasur një jetë më të mirë.

Luljeta Veselaj- Gutaj theksoi për gazetën se kjo ikje që po ndodh natyrisht se është një imazh i keq që po i ndodh këtij vendi.

“Tashmë është koha kur duhet të punohet më shumë, që këta të rinj të shkolluar mos të ikin nga vendlindja, sepse ikja e tyre nuk është rrugëdalje për të ardhmen e Kosovës. Albulena Balaj theksoi për gazetën se ikja ka ndodhur edhe më herët, dhe të rinjtë tash po shkojnë për shkëmbim përvojash.

Gazetari Blerim Çoçaj thotë se të rinjtë nuk po ikin vetëm për shkak papunësisë.

“Janë shumë faktorë të tjerë që po ndikojnë në zbrazjen e Kosovës. Askush nuk po sheh perspektivë më në këtë vend, fatkeqësisht!”, shprehet Çoçaj për “Kosova Sot”.

Saranda Bogujevci thekson për gazetën se ikja është duke ndodhur çdo ditë për shkak se këtu ka nepotizëm dhe mbi të gjithë ka korrupsion shumë të madh. Ajo thotë se të rinjtë tanë jashtë Kosove po tregohen shumë të suksesshëm. Poeti dhe shkrimtari Gëzim Ajgeraj këtë çështje e sheh kështu: “Kërkimi i perspektivës nëpër vendet evropiane, duket se tanimë për brezin e ri është i demoduar dhe nuk është zgjidhja ideale. Nëse i përcjellim trendët ekonomikë në vendet evropiane, në veçanti asaj gjermane, për klasën e thjeshtë punëtorë nuk ka ndonjë leverdi për të fituar e krijuar të mira materiale”, është shprehur ai për gazetën “Kosova Sot”.

Të rinjtë kanë mbetur të paperspektivë

Sadik Halitjaha, veteran lufte, thekson se ikja e të rinjve nga Kosova është shqetësuese dhe e kushtueshme në aspektin afatgjatë dhe në dëm të Kosovës. “Shqetësimi është ngase po zbrazët Kosova nga ajo kategori e të rinjve që rigjeneron dhe shumëzon natalitetin dhe demografinë kombëtare. Na kushton, sepse harxhojnë nga rezervat që kanë apo shesin atë që kanë për të shkuar jashtë vendit dhe përfundojnë të dështuar, sepse s’ka azile politike për kosovarët”, është shprehur ai.

“Pasojat afatgjata janë të mëdha, sepse ndikon në çrregullime familjare ekonomike e sociale. Krejt kjo ndodh, sepse të rinjve u është vrarë shpresa e perspektivës për një të ardhme më të mirë e të sigurt. Duhet të bëhet kthesë e dukshme ekonomike,politike dhe e sigurisë të një të ardhme që të mund jetohet me dinjitet dhe jetë normale në Kosovë”.

Mytaher Haskuka , kryetar i Komunës së Prizrenit, pohon se zgjidhja e vetme është hapja e vendeve të punës duke shtuar se Qendra Inovative në Prizren duhet të shihet si mundësi që këtu të hapen disa qindra vende pune, pastaj duhet kontaktuar edhe shqiptarët në diasporë që ata të na hapin fabrika këtu dhe nga këtu të ndihmojë Kosovën. Admir Gashi, student, mendon se vetëm duke qenë këtu ndihmohet vendi, por tashmë të rinjtë kanë mbetur të paperspektivë. “Jam në pritje të vizës për Kroaci dhe do të iki sa më parë nga këtu”.

Asnjë koment

Comments are closed.