24-11-2024

Të shtënat në ahengjet e Prizrenit, dasmë apo “luftë”

As ky vit nuk ka sjellë ndryshime të mëdha. Edhe më tej në dasmat e rajonit të Prizrenit, jo të gjithë argëtohen me muzikë dhe atmosferën e organizuar. Derisa të tjerët hedhin valle, disa hiç pa luajtur vendit nxjerrin armët, madje edhe të gjata, duke qëlluar në ajër. Ka vite që kjo thuajse është bërë dukuri në gazmendet e kësaj ane, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Ky sezon i organizmit të ceremonive familjare nisi keq, pasi në prill, një 14 vjeçar në fshatin Mushtisht të Suharekës vdiq aksidentalisht si pasoj e keqmanovrimit të një pistolete gjatë një ahengu. Për më keq ngjarja ndodhi nga axha i viktimës. Kështu gëzimi në këtë familje u kthye në vaj, për t’u mbajtur mend gjatë në këtë anë.

Ky ishte rasti më i rëndë i këtij sezoni të dasmave në rajonin e Prizrenit, që zakonisht shoqërohet me të shtëna të shumta sa ndonjë i huaj që nuk njeh dukurinë, mund të mendojë se po ndodh ndonjë incident, meqenëse edhe armët e përdorura janë llojesh të ndryshme. Shpesh, mes dasmorësh ka edhe garë me armë, madje në prani të fëmijëve e grave shtatzëna.

Ka ndodhur që vetë autorët të plagosin veten gabimisht duke pësuar lëndime të rënda. Në disa raste, çantat që shihen në krahun dasmorëve nuk mbajnë ndonjë dokumentacion apo telefonin, por pistoleta dhe municion.

Një i ri që punon në Gjermani, Agjend Gashi, tregon se një dasmë i është dukur si të ishte luftë nga të shtënat gjithandej, në oborr, dhomë etj., derisa rapsodët interpretonin këngët epike, e deri kur dhëndri kishte dalë krah nuses.

Policia ka apeluar shpesh për kujdes dhe të mos mbajnë armë ilegale e të mos gjuajnë. Madje për një sensibilizim më të madh prej disa vjetësh është lansuar edhe fushata “Festo me zemër,  jo me armë!”. Megjithatë kjo, jo që nuk është respektuar, por për më keq shkrepja e armëve në dasma bëhet edhe në vetë praninë e pjesëtarëve të policisë, të cilët ndodh të jenë mysafirë aty. Në të shumtën duke qenë familjarë, ata kanë “mbyllur” sytë dhe nuk kanë raportuar rastet. Nëpër qytet ka pasur raste kur kështu kanë vepruar policët, kur krismat janë dëgjuar në lagjet e tyre.

Rezultate imazhesh për te shtena neper dasma

Hazir Berisha, zëdhënës rajonal i policisë në Prizren, tha se krahasuar me vitet e mëparshme, rastet e të shtënave me armëve nëpër dasma e ahengje ka shënuar rënie të ndjeshme, derisa është rritur numri i sekuestrimit të armëve nëpër dasma.

“Gjatë korrikut e gushtit kanë ndodhur 6 raste të intervenimit të policisë, ndërsa janë konfiskuar 4 pistoleta, një pushkë gjysmë automatike dhe 61 copë municione”, tha ai përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Përkundër shifrave zyrtare, dihet se rastet e kësaj natyre janë më të mëdha.

Megjithatë, në vitin e kaluar përpos konfiskimit të 9 armëve gjatë dasmave, 6 persona ishin  lënduar si pasojë e të shtënave. Sipas policisë, të gjitha rastet i kanë kaluar prokurorisë së shtetit për procedura të mëtejme.

“Argëtimi” i këtillë i disa personave me armë nëpër ahengje, dukuri kjo e shpeshtuar pas luftës, dëshmon për numrin e armëve ilegale në popull./ GazetaePrizrenit.net.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.