19-04-2024

Testi i madh për kryetarin Haskuka

Shkruan: Qazim Morina

Përzgjedhja e drejtorëve të shkollave është testi i parë i madh i qeverisjes së re në Prizren, të udhëhequr nga kryetari Mytaher Haskuka.

Kjo jo vetëm për faktin se këtu do të testohet premtimi i tij elektoral, për siç ka thënë depolitizimin e arsimit dhe zgjedhjen e njerëzve profesionist e të dëshmuar, por edhe për të menaxhuar orekset dhe kalkulimet tashmë të përfolura të partive në koalicion dhe “luftën për të përfituar” sa më shumë shkolla.

Përkundër asaj që është premtuar, në shkollat në të cilat janë shpallur konkurset, të “fortit” e partive,  tashmë kanë nisur ta promovojnë veten si drejtorë, ende pa u mbyllur konkurset. Disa të tjerë, flasin se janë shefat e partive, ata të cilët i kanë shtyrë të aplikojnë si shpërblim për aktivitetin partiak.

Në disa shkolla tashmë po lakohen emra të përveçëm, ndërsa në dy-tri raste burime të besueshme, flasin se drejtorët aktual kanë treguar lojalitet ndaj qeverisjes së re, madje duke shpreh gatishmërinë “për ta tundur flamurin e tyre partiak” vetëm që të mbeten në pozitë.  Kjo ka ndodhur edhe më parë, por në këto rast duhet shikuar performancën e tyre dhe jo interesin partiak, në dëm të fëmijëve.

Haskuka në profilin e tij në ‘facebook” ka vlerësuar se procesi i përzgjedhjes së drejtorëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunën. Duke premtuar transparencë, ai ka ftuar që aplikantët ta lexojnë udhëzimin për procedurën e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, i cili do të shërbej për krijimin e mundësive për përzgjedhjen e personave më të aftë në këtë fushë.

Por, ajo që të bie në sy është pikërisht shpallja e konkursit për drejtor për dy shkolla të reja, për Ortakoll dhe në “Lekë Dukagjini”, ku kjo është bërë para se shkollat të ndahen. Veprimin kësisoj, disa të opozitës e lidhin me premtimet e bëra për pozita.

Derisa kryetari fton për të aplikuar, për disa profesionistë dhe të dëshmuar, që nuk janë të afërt me pushtetin, kjo është krejt e kotë, aq më tepër kur dihet dërgimi me ngut i mësimdhënësve për kryerjen e trajnimit për menaxhim të shkollave, që është një tregues, se cilët do të jenë të preferuarit.

Nga listat e të përzgjedhurve për intervistim, u pa makiavelizmi edhe i disa ish-drejtorëve të cilët në mungesës së ndonjë performance gjatë mandatit të mëparshëm, kanë aplikuar sërish. Disa të tjerë për ta zgjatur qëndrueshmërinë në post, kanë konkurruar për zëvendës e të ngjashme.

Por, a do të lejojë kryetari Haskuka të ndodhë një riciklim? A do të jetë në gjendje t’i thotë jo degradimit të arsimit?

Testi për Haskukën do të jetë edhe për atë se, në konkursin e parë për shëndetësi ka pasur kritika nga opozita, sipas të cilës janë përzgjedhur mjekë të preferuar, pas favorizimeve me tregimin paraprak të testit.

Por, derisa në shëndetësi përzgjedhja mund të shkojë më mirë, pasi Vetëvendosje e Nisma nuk kanë shumë kuadro nga kjo fushë, tjetër situatë është në arsim. Siç thotë populli aty po presin me një këmbë, por a duhet një kujdes i veçantë pikërisht aty ku janë në pyetje fëmijët?

Këtë më së miri e di një profesor i psikologjisë./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.