Totaj: Zgjedhjet në PDK “zbuluan” një potencial të fshehur që paraqet  thesar për ofertë cilësore në Prizren

Derisa PDK në Prizren po kryen procesin e brendshëm zgjedhor, njëri nga pretendentët kryesor për marrjen e postit të kryetarit të degës, Shaqir Totaj thotë se gjatë këtij procesi është vërejtur një potencial i fshehur brenda këtij subjekti, persona që me vlerat e tyre paraqesin thesar për PDK-në dhe që së bashku me shumë profesionistë tjerë me integritet, do të paraqesin vlerë të shtuar dhe ofertë kualitative, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Dega e PDK-së tashmë ka përfunduar kuvendet zgjedhore në 20 nëndegë, ndërkohë që procesit do t’i përshkojë edhe 27 nëndegë, në mënyrë që më së largu në fillim të marsit të zgjedhet kryetari i degës.

Deri tash i vetmi që e ka paraqitur kandidaturën për kryetar dege është ish- kandidati i këtij subjekti politik për kryetar komune, në zgjedhjet e fundit lokale, Shaqir Totaj.

Totaj që ka qenë pjesë e kuvendeve zgjedhore, thotë se në shumicën e nëndegëve janë zgjedhur kryetar të rinj jo vetëm sa i përket moshës, por edhe konceptit që përfaqësojnë, e që është një garancion se reformat, të cilat në esencë janë ndërtim i të ardhmes e jo gjykim i së kaluarës po realizohen përmes sistemit të vlerave dhe kritereve të avancuara.

“Është vërejtur një potencial i fshehur brenda PDK-së, persona që me vlerat e tyre paraqesin thesar për PDK-në dhe që së bashku me shumë profesionistë tjerë me integritet, që përmes reformave pritet që t’i bashkohen PDK-së dhe platformës ‘Dekada e Re” do të paraqesin vlerë të shtuar dhe ofertë kualitative jo vetëm për qytetin e Prizrenit”, ka thënë ai për “GazetaePrizrenit.net”.

Rezultate imazhesh për shaqir totaj

Sipas tij, zgjedhjet e brendshme në kuadër të platformës “Dekada e Re” janë një mundësi për të adresuar shumë çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e degës së PDK në Prizren dhe me gjasë në këtë drejtim do të ketë zhvillime pozitive.

“Sfidat e të ardhmes kërkojnë të jemi më të organizuar dhe mobilizuar për adresimin e tyre në mënyrë kualitative në kuadër të platformës “Dekada e Re” që ofron zhvillim, bashkëpunim, integrim”, ka thënë ai.

Totaj shprehet se tek shumica absolute e nëndegëve  dhe anëtarësisë është vërejtur gatishmëria për të përkrahur platformën e re dhe vlerat reformuese që sjell ajo në drejtim të përgatitjes sa me të mirë me strukturë dhe profile të kuadrove për të qenë të gatshëm për ballafaqim me sfidat e të ardhmes.

Duke komentuar largimin e disa anëtarëve të kryesisë së degës së PDK-së për në Nisma, Totaj ka deklaruare se në parim largimet e personave, që kanë qenë ndër themeluesit e partisë nuk janë të mira, megjithatë secili individ e gëzon të drejtën që aktivitetin e vet politik te zhvillon aty ku mendon se është më së miri. /GazetaePrizrenit.net/

Rezultate imazhesh për shaqir totaj