20-04-2024

Tre nga shtatë të emëruarit nga Haskuka për drejtorë shkollash nuk e pranuan detyrën

Gjendja edhe ashtu e rënduar në arsim, shkaku i paqartësisë që ka shkaktuar pandemia rreth fillimit të procesit mësimor, është përkeqësuar pas vendimit të fundit të kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka për largimin e disa drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve.

Kjo ka shkaktuar huti dhe pakënaqësi jo vetëm nëpër kolektivet shkollore, por edhe te mësimdhënësit dhe dashamirët e arsimit, aq më tepër kur kjo “mjegull” ndodh pikërisht një javë para 1 shtatorit, shkruan LAJM 365.

Në disa shkolla të emëruarit nuk janë paraqitur për marrjen e detyrës në këtë formë, duke dashur t’i ruajnë raportet kolegiale.

Referuar burimeve kjo ka ndodhur në Shkollën e Mjekësisë, në shf. “Lekë Dukagjini” dhe në atë Vërmicës.

Haskuka në distancë dhe përmes zarfeve të dërguar në mënyrë selektive, ka njoftuar për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në pozitat udhëheqëse të disa drejtorëve, pa konkurs.

Në vend të tyre ai emëroi ushtrues detyre mësimdhënës pa kritere e pa trajnimin për menaxhim.

“Në vend se shkollat tash të përgatiteshin si zakonisht për fillimin e mësimit, duke bërë oraret dhe pritur rikthimin e nxënësve, tash po mbretëron një atmosferë e ftoftë”, janë shprehur disa nga mësuesit.

Këtë javë mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prizrenit për gjendjen në arsim

Pakënaqësinë ndaj veprimit të tillë, dhe në këtë situatë, në një takim në Prizren, u raportua që Haskukës t‘ia ketë shprehur edhe Ministri i Arsimit, Ramë Likaj.

Opozita ndërkaq ka ftuar mësimdhënësit të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e ofertave dhe joshjeve që po u bën Vetëvendosje, në këtë kohë tranzicioni, për t’i pozicionuar në poste, përmes formës diskutabile, pa konkurse e kritere.

Lidhur me gjendjen e krijuar në arsim, Kuvendi i Prizrenit këtë javë pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

Asnjë koment

Comments are closed.