20-04-2024

Trump në kërkim të “marrëveshjeve historike”, a do t’ia dalë me Kosovën e Serbinë?

Përfaqësuesi Special Presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ende pa kaluar 24 orë nga arritja e marrëveshjes së cilësuar historike ndërmjet Izraelit dhe Emirateve Arabe, ka njoftuar se më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë do të takohen Kosova dhe Serbia, shkruan Gazeta Express.

Në letrën e përbashkët të lëshuar nga Izraeli dhe Emiratet pas arritjes së marrëveshjes, thuhet se të dy shtetet janë pajtuar për normalizim të plotë të raporteve.

Marrëveshja e nënshkruar Izrael-Emirate me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, është e ngjashme me marrëveshjen që Richard Grenell synon ta arrijë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që përbëhet plotësisht nga elemente që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik. Por, kjo marrëveshje ka shënuar edhe njohjen e Izraelit nga Emiratet e Bashkuara Arabe nëpërmjet lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, që është shteti i tretë arab që e njeh Izraelin.

“Delegacione nga Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara do të takohen në ditët në vazhdim për të nënshkruar marrëveshje dypalëshe, që ndërlidhen me investime, turizëm, fluturime direkte, siguri, telekomunikacion, teknologji, shëndetësi, kulturë, ambient dhe vendosje të ambasadave në dy shtetet”, thuhet në letrën e përbashkët.

Një qasje të njëjtë administrata Trump ka pasur edhe në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Me ndërmjetësimin e Grenell deri tani pala kosovare dhe ajo serbe kanë nënshkruar tri marrëveshje që ndërlidhen me ndërtimin e një autostrade, të një hekurudhe dhe lëshimin e një linje ajrore direkte Prishtinë-Beograd.

Por a do të arrijë Donald Trump që në takimin e 2 shtatorit t’i bindë Kosovën dhe Serbinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje, e cila do të çonte të dy shtetet në një normalizim të plotë të raporteve.

Këto iniciativa të presidentit Republikan në kërkim të marrëveshjeve historike dhe fitoreve në politikën e jashtme vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, garë kjo ku Trump do ta ketë përballë Joe Biden.

Njohës të politikës botërore në vazhdimësi kur kanë folur për përpjekjen e administratës Trump për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi, kanë thënë se një finale të tillë, presidenti amerikan e do si një trofe që do t’i shërbejë për zgjedhjet e nëntorit.

Mbetet të shihet se kush është ftuar për të marrë pjesë në takimin e 2 shtatorit në Washington mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti serb, Aleksander Vucic, drejt Washingtonit do të udhëtojë pas një fitore të thellë në zgjedhjet e fundit në Serbi, derisa faktori politik në Kosovë vazhdon të jetë i paunifikuar.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ende s’ka arritur një konsensus të plotë me partitë opozitare, PDK-në dhe Vetëvendosjen, derisa koalicioni që drejton në Kuvend përbën vetëm shumicën e thjeshtë.

Hoti bashkë me koordinatorin për dialog, Skënder Hyseni, në vazhdimësi kanë bërë përpjekje për takime me qëllim të krijimit të një uniteti sa më të madh, sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

Rrjedhat e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga SHBA-ja i ka ndryshuar plotësisht njoftimi i Prokurorisë Speciale të Hagës për aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, pikërisht në ditën kur ky i fundit ndodhej në aeroplan për në Washington për takimin e 27 qershorit. /GazetaExpress/

Asnjë koment

Comments are closed.