29-04-2024

Vërmicë-Prizren: Arrestohen tre persona për kontrabandim me migrantë

Policia e Kosovës në Vërmicë ka ndaluar tre persona të dyshuar për kryerje të veprës penale “Kontrabandim me migrantë”.

Në orët e para pas mesnatës, në fshatin Vërmicë, një njësi policore nga stacioni policor për mbikëqyrje të pikës kufitare në Vërmicë, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta për vëzhgim të vijës kufitare, ka vërejtur një grup prej 24 personash me shtetësi siriane duke hyrë ilegalisht nga Republika e Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Përveç këtij grupi, Policia e Kosovës njofton se ka vërejtur edhe dy automjete në të cilat ishin katër persona që dyshohet se ishin në pritje për kontrabandim të personave të lartëcekur.

Në lokacion policia ka bërë arrestimin e tre personave të dyshuar me ç’ rast u janë konfiskuar telefonat personal të cilët dyshohet se kanë përmbajtje të dëshmive që i implikon të dyshuarit në rast.

Gjithashtu është bërë sekuestrimi i dy automjeteve me të cilat është tentuar që të kryhet kontrabandimi me migrantë.

Në konsultim me prokurorin kompetent, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i katërt është në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi që gjendet në arrati.

Asnjë koment

Comments are closed.