20-10-2020

Veseli: Shërbyesit civilë mund të krahasohen me paga edhe me shtetet e BE-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas miratimit të Ligjit për paga për shërbyesit civilë, ka thënë se tani punonjësit publikë në Kosovë “mund të themi se krahasohen edhe me vendet e BE-së për pagesat e tyre që do t’i kenë që nga nata e sotme”.

“Jemi krenarë për këtë sepse ekonomia jonë është e qëndrueshme, kjo rritje solide e pagave nuk do ta dëmtojë stabilitetin makro-ekonomik e makro-financiar të Kosovës. Përmes përmirësimit të situatës tek sektori publik, kemi garantuar se nuk ka ulje pagash për asnjë punonjës publik. Ka rritje nga 20 deri në 83 për qind. Tani do të orientohemi tek pjesa më qenësore që është ndërmarrësia, prodhimi, sektori privat. Zhvillimi i vendit varet nga sektori privat. Ky do të jetë orientimi ynë”, tha Veseli, raporton Koha.net.

Tutje, ai foli edhe për Buxhetin 2019 i cili pritet të hidhet në votim gjatë seancës së sotme.

“Buxheti është në rend dite. Kemi një koalicion që po punon normalisht, po marrim vendime… Sonte do të miratohet Buxheti i Republikës së Kosovës. Është realitet”, tha Veseli, ndërsa deklaroi se në këtë seancë do të flitet edhe për Statutin e Trepçës që tha se “do të jetë vendim shumë i rëndësishëm për sovranitetin dhe ekonominë e Kosovës”.

Veseli foli edhe për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë Haradinaj, ndërsa hodhi poshtë një mundësi të tillë. Ai tha se i qëndron prapa deklarimit të tij se taksa duhet të pezullohet për 120 ditë.

“Do t’i jepet një mundësi kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Unë mendoj se taksa duhet të qëndrojë dhe në partneritet me SHBA-në dhe partnerët perëndimorë, të kemi një pezullim të përkohshëm me kushte që, nëse Serbia vazhdon me agresivitet, do të kalojmë në masa reciprociteti. Kosova, me SHBA-në, ruan çdo gjë. Pa të, pa përnarët ndërkombëtarë, rrezikon çdo gjë”, u shpreh kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.