Veshja hasjane e puna me vek ende po trashëgohen në Gjonaj (Video)
Fshati Gjonaj është njëri ndër fshatrat më të mëdhenj në rajonin e Hasit të Prizrenit, dhe i dyti për nga madhësia në këtë komunë.
Ajo çka e bën më të veçantë këtë krahinë, është mbajtja e traditave e veshjeve tradicionale, të cilën banorët e kësaj ane e mbajnë ende gjallë, e i trashëgojnë tek pasardhësit e tyre, raporton KOHA.
Rrushe Lushaj nga fshati Gjonaj nuk shkëputet dot nga kjo traditë.
Asaj i pëlqen t’i mbajë veshur rrobat tradicionale hasjane. Ajo përveçse i mban veshur, di t’i punojë ato me vek, zanat ky që e mësoi që nga mosha 14-vjeçare.
“Penallti” për opozitën në Prizren
Vekun që e përdor me vite të tëra i ka mbetur trashëgim nga babai. Një i tillë është vështirë për t’u punuar.
Vajzat që duan ta kenë një veshje të tillë duhet porositur afro 2 vjet më herët.
Kjo lloj veshjeje ka shumë pjesë, e që në kohët më të nxehta paraqet problem dhe nuk është aspak praktike.
Por, sipas Rrushes, gratë hasjane asnjëherë nuk kanë hezituar për ta mbajtur.
Ajo tregon se një veshje të tillë i ka punuar vajzës dhe resë së saj, por që ato ende nuk kanë arritur ta mësojnë plotësisht punën me vek.
Për ta finalizuar një veshje hasjane, Rrushes i duhet së paku deri një vit.
Pjesa më e rëndësishme në këtë veshje është rrethi i drurit, i cili vendoset në bel, e që ndryshe njihet si “kullan”.
Kohë më parë, si çdo grua në Kosovë, edhe ato hasjane i kanë punuar tokat. Duke mbajtur veshjen tradicionale, në kollan mbanin ujin dhe ushqimin.