Veshje dhe ushqime tradicionale në panairin e Prizrenit (foto)
Veshjet tradicionale kombëtare, por edhe ato të trevës së Prizrenit, bashkë me disa punime dhe ushqime tradicionale, me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Turqia dhe Ulqini janë prezantuar, të enjten në një panair të hapur në Prizren, në të cilën morën pjesë dhe miq gjerman nga Bingeni, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Panairi i organizuar nën patronazhin e Drejtorisë Komunale për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik mbahet në mjedis të hapur, në sheshin që lidhet me Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.
Mysafir në këtë edicion është edhe një delegacion nga Bingeni i Gjermanisë, qytet ky i vëllazëruar prej 5 dekadash me Prizrenin.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuk, në ceremoninë hapëse derisa vlerësoi rëndësinë e diversitetit kulturor të Prizrenit, tashmë edhe si Kryeqytet historik të Kosovës, tha se trashëgimi shumë e rëndësishme janë edhe artizanatet. “Diversiteti që kemi në shumë sfera na bën krenarë. Shpresoj të kemi sa më shumë panaire të tilla, pasi përmes tij e njohim edhe botën me kulturën tonë”, tha ai.
Kryebashkiaku i Bingenit, Thomas Feser, tha se Prizreni ka shumë të rinj, që janë e ardhmja e këtij vendi, derisa theksoi se gjatë pesë herëve sa ka ardhur këtu ka parë ndryshime për të mirë, në aspektin e zhvillimit.
“Duam ta mbështesim Prizreni në fushën e arsimit, parkut të inovacionit, që do të funksionojë në ish-hapësirat e kampit të KFOR-it gjerman. Po ashtu mbështesim edhe idenë e ndërmarrjeve gjermane që dëshirojnë të investojnë këtu”, tha ai.
Feser tha se dëshiron të gjej mbështetje për fuqinë punëtore të këtushme për shëndetësinë në Gjermani, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në panair po marrin pjesë përfaqësues të Ulqinit e të Beratit.Nëpër tendat e hapur janë veshje tradicionale shqiptare. Ky aktivitet shihet si një është mundësi e mirë për promovimin e artizanateve të vjetra me të cilat dallohet Prizreni, si një nga qendrat e njohura jo vetëm në shqiptari, por edhe në rajon.
Në kuadër të panairit është hapur ekspozita me fotograi “Prizreni dje-Prizrenit sot”, pastaj mbahet edhe gara “Best kebap Prizreni-2018”, dhe në mbrëmje një koncert i madh muzikor./GazetaePrizrenit.net/