26-04-2024

Vetëvendosje kundër kalimit të autostradës së Dukagjinit përgjatë Drinit të Bardhë

Lëvizja Vetëvendosje kundërshton projektin përfundimtar për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Deputeti Liburn Aliu, ka thënë se kostoja e autostradës është 1 miliard euro, e këto mjete, sipas tij, do të duhej të investoheshin në zhvillimin ekonomik të këtij rajoni.

Aliu ka thënë se ky projekt i Ministrisë së Infrastrukturës, do t’i shkatërrojë tokat bujqësore dhe sistemet e ujitjes.

Por, Ministria e Infrastrukturës ka reaguar ndaj këtyre akuzave të Vetëvendosjes.

Nëpërmjet një komunikate, kjo ministri vlerëson se versioni i projektit për ndërtimin e autostradës përgjatë lumit Drini i Bardhë, është më i përshtatshmi për Rahovecin.

“Është përzgjedhur varianti paralel me lumin Drini i Bardhë, për të vazhduar me hartimin e projektit detal, si rezultat i përparësive krahasuar me variantet tjera, si rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë, parandalimi i degradimit të lumit Drini i Bardhë, shpronësim minimal i tokave bujqësore dhe tokave private. Aksi i autostradës kalon më shumë se 70% mbi sipërfaqe të degraduar të tokave bujqësore rreth lumit”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Infrastrukturës.

Kjo ministri thotë se kostoja e ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, do të jetë 600 milionë euro, ndërkaq do të shpronësohen rreth 623 hektarë tokë, shumica prej tyre prona private./k.net

Asnjë koment

Comments are closed.