07-10-2024

Vetëvendosje, sikurse edhe partitë opozitare, synon postin e kryesuesit të Kuvendit të Prizrenit

Funksionin e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit synojnë që ta marrin si partia në pushtet, ashtu edhe subjektet opozitare.

Lëvizja Vetëvendosje, si bartëse e koalicionit qeverisës komunal, konsideron se kjo pozitë i takon anëtarit nga radhët e saj. Ndërsa PDK-ja vlerëson se kryesuesi duhet të zgjidhet nga kjo parti, për faktin se ky subjekt ka grupin më të madh të këshilltarëve në KK-në e Prizrenit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ka edhe parti të tjera që kanë shprehur qëndrimin se për këtë çështje nevojiten konsulta, meqë posti i kryesuesit ka mbetur i zbrazët prej dy javësh, si pasojë e dorëheqjes së Artan Abrashit, i cili është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, Adem Shabanaj, ka theksuar se çështja e pozitës së kryesuesit është e panegociueshme. “Në fillim të formimit të koalicionit qeverisës komunal kjo pozitë i ka takuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe prapë i takon Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Shabanaj. Madje ai ka theksuar se ky subjekt politik është përcaktuar edhe për emrin e kandidatit për kryesues. /koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.