25-10-2020

Vrasja e vëllait në Studenqan të Suharekës: Kërkohet marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, shtyhet gjykimi

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren nuk është mbajtur gjykimi i të akuzuarit për vrasje të rëndë, Bajram Gegaj.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ishte arsyeja e kërkesës nga palët, lidhur me negocimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë si dhe mungesa e palës së dëmtuar, gjegjësisht bashkëshortes së të ndjerit Ismet Gegaj, Hava Gegaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani konstatoi se nuk është prezent në gjykim bashkëshortja e të ndjerit Ismetit, Hava Gegaj, e cila është ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata.

Lexo edhe:

Haskuka tallet me kuvendaren e VV-së që denoncon keqpërdorime, i thotë shko në Prokurori!

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Gegaj, avokati Tomë Gashi deklaroi se ka paraqitur në prokurori propozimin për negocim mbi marrëveshjen e pranimit të fajësisë, mirëpo siç thekson ai, prokurorisë i duhet ndoshta kohë për të vendosur për këtë çështje penale.

“Në seancën e kaluar ju kemi njoftuar se do të paraqesim propozim për negocimin për marrëveshje për pranimin e fajësisë, të njëjtën e kemi dorëzuar edhe në formë të shkruar te prokurori z.Mehdi Sefa, më 20.07.2020, po ashtu i kemi dërguar një urgjencë më 25.09.2020, duke pasur parasysh caktimin e seancës së sotme, unë kam biseduar me prokurorin Mehdi, i njëjti më ka njoftuar se ndoshta i duhet prokurorisë më tepër kohë që të vendos lidhur me këtë propozim”, deklaroi avokati Gashi.

Po ashtu, avokati Gashi tha se në rasat se gjykata vendos që të vazhdoi me shqyrtimin e sotëm, atëherë “unë propozoj që të sigurohen dokumentacionet e nevojshme mjekësore tani nga qendra e paraburgimit në Prizren, që i akuzuari Bajram Gegaj sipas tij, është permanent në vizita, shikim nga psikologu dhe psikiatria e qendrës së paraburgimit në Prizren, gjë që pas sigurimit të tyre do të propozojmë edhe një ekspertizë tjetër për shkak se është pak e besueshme që sipas ekspertizës që kjo gjykatë e ka siguruar” tha avoakti Tomë Gashi.

Në këto rrethana, prokurori i rastit Metush Biraj, deklaroi se është e vërtet fakti se në prokurori është deponuar kërkesa e mbrojtësit për negocimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë me të akuzuarin Barjam Gegaj dhe sipas tij, prokuroria është duke e shqyrtuar seriozisht, por ende nuk janë përcaktuar lidhur me marrëveshjen dhe lartësinë e dënimit.

Lidhur me këtë, prokurori Biraj i kërkoi gjykatës që tu jepet edhe pak kohë për të vendosur lidhur me këtë çështje.

Pas këtyre, gjykatësi Artan Sejrani deklaroi se pasi që nuk ka kushte për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, e ndërpreu dhe të njëjtin e caktoi të mbahet më 26 nëntor 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 11 qershor 2020, Bajram Gegaj akuzohet se më 17 mars 2019, në fshatin Studenqan të Komunës së Suharekës, pas një mosmarrëveshje paraprake rreth çështjeve pronësore, me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes, vëllain e tij Ismet Gegaj.

Në aktin akuzues thuhet se këtë e bën në atë mënyrë që, hyn në dyert e oborrit të shtëpisë së Kujtim Gegajt me pistoletë-revole të tipit HS-9, e kalibrit 9×9 mm, dhe me të shtënë një herë në drejtim të Ismet Gegajt, i cili kishte shkuar mysafir, ku ky i fundit pas të shtënës, i plagosur, shkon brenda në shtëpi, ku i akuzuari e ka ndjekur atë, e ku e dëmtuara Naile Gegaj pas dëgjimit të zhurmës e hap derën e shtëpisë dhe e ka parë Bajram Gegajn, i cili kishte shtënë edhe në drejtim të saj, të cilën e plagos në anën e djathtë të abdomenit.

Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari Bajram Gegaj ka vazhduar ndjekjen duke hyrë në dhomën ku ishte fshehur Ismeti dhe në të shtënë katër  herë në pjesë të ndryshme të trupit, e që si pasojë e shkakton vdekjen e të ndjerit.

Me këto veprime, Bajram Gegaj akuzohet se në kohë dhe vend të njëjtë, ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, veprën penale të vrasjes në tentativë dhe atë të armëmbajtjes pa leje. /BetimipërDrejtësi

Lexo edhe:

Policia jep detaje rreth therjes me thikë që ndodhi në Prizren

 

Asnjë koment

Comments are closed.