Vullnetarët pastrojnë fshatrat e bukura të Hasit, kërkohet mirëmbajtja e zonave turistike (Foto)
Me moton “Për një Has të pastër”, “Let’s Do It” iu bashkua aksioneve të pastrimit, që sot u mbajtën në disa fshatrav të Hasit. Aktivitetet janë iniciuar nga Fondacioni Drini nga rajoni i Hasit.
Aksioni i filloi në fshatin Gjonaj, te Ura e Drinit të Bardhë, dhe vazhdoi përgjatë rrugës. Aksione pastrimi pati edhe në fshatrat: Mazrek, Krajk, Bregu Dri, Lukinaj, Romajë, Dedaj, Kabash, Lugishtë, Kushnin dhe Demjan.
Nga Hasi u bë thirrje për ruajtjen e një mjedisi sa më të pastër, veçanërisht të zonave me aq shumë bukuri natyrore, siç janë fshatrat në të cilat u zhvilluan aktivitetet e sotme, meqenëse nuk është aspak imazh i mirë për vendin, ndotja e këtyre zonave potenciale turistike.
Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj, ka kritikuar institucionet lokale për angazhimin e mangët në çështje mjedisore, derisa ka kërkuar që mirëmbajtja e tyre të kthehet në prioritet.
“Kosova ka shumë bukuri të mira natyrore, për të cilat në radhë të parë duhet kujdesur ne qytetarët, pasi nuk është imazh i mirë që në to të shihen mbeturina, që diktojnë mbledhjen e tyre, siç kanë bërë sot vullnetarët këtu. Ju bëj thirrje të gjithëve që kanë mundësi që të vazhdojnë të bëjnë punë të mira për komunitetin ku jetojnë dhe veprojnë, sepse kjo ndikon në masë të madhe që edhe institucionet të jenë më të përgjegjshme”, ka thënë Hasanaj.
Taulant Hoda nga “Fondacioni Drini” ka thënë se fondacioni ka qenë një ndër iniciatorët për fillimin e këtij aksioni, derisa falënderoi “Let’s Do It” për mbështetjen e dhënë. “Aktiviteti ka filluar nga ‘Fondacioni Drini’, nga një bashkëvendës që jeton në Amerikë, z.Kastriot Shatri dhe unë. Qëllimi është përkrahja e ambientit, ngritja e vetëdijes posaçërisht në rajonin e Hasit, si dhe ndihma e të rinjve në edukim”, ka thënë ai.
Përveç aksionit të pastrimit, u mbajt edhe një ligjëratë me nxënës dhe të pranishëm të tjerë, ku u fol për rëndësinë e një mjedis të pastër.
Ndër vite, 24 Maji ka qenë data tradicionale e organizimit të aksionit më të madh të pastrimit “Ta Pastrojmë Kosovën”. Andaj, ekipi i “Let’s Do It” çdo vit shënon këtë datë me aksione pastrimi dhe aktivitete tjera me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit./GazetaePrizrenit.net