27-11-2024

Ylli kampion për herë të parë

Golden Eagle Yllit i kanë mjaftuar tri ndeshje të serisë finale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll për t’u shpallur kampion i këtij edicioni. Në ndeshjen e tretë të kësaj serie, që u zhvillua të martën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, Ylli triumfoi ndaj skuadrës së Pejës me rezultatin e ngushtë, 70:67.

Për Yllin, kjo ishte fitorja e tretë në po aq ndeshje të zhvilluara të serisë finale. Ka fituar titullin e kampionit për herë të parë.

Në fakt, Peja u përpoq deri në fund për ta fituar ndeshjen dhe ta vazhdoj serinë finale, por aksionet e njëpasnjëshme të humbura në minutat e fundit të ndeshjes i kushtuan me humbje e cila ishte edhe humbja e dytë në shtëpi nga Ylli në këtë seri finale.

Peja në këtë ndeshje ishte pa amerikanin e lënduar Laron Dendy por në ekip ishte kthyer plejmejkeri AJ Walton që ishte i suspenduar për dy ndeshjet e para kundër Yllit për shkak të përfshirjes në përleshjen kundër Ponte Prizrenit në ndeshjen e pestë të serisë gjysmëfinale të plejofit. Megjithatë, as kthimi i Waltonit nuk e ndihmoj Pejën që të shmang humbjen nga Ylli. Peja në fillim të çerekut të katërt mbeti edhe pa qendrën Brandon Walters që u përjashtua pas pesë gabimeve personale. Walters ndeshjen e mbylli me 18 pikë e 17 kërcime derisa Walton shtoi dhjetë pikë e shtatë asistime. Te skuadra e Pejës më efikasi ishte kapiteni Dardan Berisha, i cili realizoi 21 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen. Për Pejën kjo ishte finalja e dytë e humbur këtë edicion nga Ylli pasi muajin e shkuar pësoi edhe në Ligën Unike.

Në anën tjetër, Ylli luajti në tri finale, dy prej të cilave i fitoi dhe arriti të stoliset me dy trofe. Padyshim që ky llogaritet edicioni më i sukssshëm për ekipin e Yllit, i cili ka mundur ta fitoj edhe Kupën e Kosovës, por ishte mposhtur në finale nga Sigal Prishtina.

“Ndjenjë e papërshkrueshme pasi është titulli i parë. Jemi krenarë dhe ndihemi shumë mirë. Është viti i dytë te Ylli dhe ndihem shumë i lumtur. Kjo Kupë më ka bërë edhe më të lumtur”, tha plejmejkeri i Yllit, Valon Bunjaku, që realizoi shtatë pikë.

Skuadrën e Yllit drejt këtij triumfi e udhëhoqi amerikani Ejylah Clark me 19 pikë të shënuara, i përcjellë nga Erjon Kastrati me 16 sosh e Gëzim Morina që regjistroi “double-double” prej dhjetë pikëve e po aq kërcimeve. Në të vërtetë këta edhe ishin lojtarët e vetëm te Ylli që regjistruan pikë dyshifrore.

Peja e nisi mirë ndeshjen pasi çerekun e parë (24:14) dhe të dytin (41:34), i përfundoi me epërsi, të cilën nuk arriti ta mbajë në dy çerekët e fundit.

“Vështirë se mund të them diçka. Të gjithë jemi gëzuar shumë. Urime Pejës për lojën, për luftën. Jemi gëzuar shumë. Nuk besoj që është reale 3:0. Loja në Suharekë për një top, këtu për një top. Por besoj se i kemi merituar fitoret dhe titullin”, ka thënë reprezentuesi i Kosovës, Kastrati që së bashku me Morinën iu bashkuan Yllit në filim të këtij viti.

Ndër më të merituarit për këtë sukses të Yllit dhe trofeun në Ligën Unike, mbetet trajneri Adis Beçiragiq. Ky i fundit, e mori drejtimin e Yllit në fund të muajit mars dhe arriti të fitoj dy trofe. Për Beçiragiqin ky ishte trofeu i tretë në basketbollin kosovar pasi edicionin e shkuar e fitoi Kupën e Kosovës me skuadrën e Pejës. Ylli përgjatë këtij edicioni i ndërroj tre trajnerë. E nisi me Dragan Radoviqin, e vazhdoi me Fatih Gezerin dhe e mbylli në mënyrë triumfale me Beçiragiqin.

“Mënyra se si luante Ylli nuk ishte për titull të kampionit. I kemi pasur katër gjëra për të ndryshuar. Kemi bërë punë të mirë për të ndalur në mbrojtje Dardanin e Lisin, që janë më të mirë se të gjithë të huajt së bashku. Në reportin ofensiv nuk kemi luajtur mirë, por falë paraqitjes së mirë në mbrojtje dhe ndaljes së Dardanit dhe Lisit kemi arritur fitore”, tha ndër të tjera Beçiragiq.

Pas këtij suksesi në këtë edicion, te Ylli kanë paralajmëruar se ky është vetëm fillimi pasi synojnë që të vazhdojnë dominimin në basketbollin kosovar edhe në sezonet tjera./Koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.